FFK-ja e konfirmon se të gjithë biletat e ndara për tifozët e Kosovës i takojnë “Dardanëve”

Federata e Futbollit e Çekisë, sot bëri të ditur se nesër prej orës 08:00, të mëngjesit do të dalin biletat në shitje në platformën online dhe në stadiumin e Plezenit, ku luhet ndeshja Çeki – Kosovë me 14 nëntor.

Tifozëve të Kosovës, për këtë ndeshje do t’i takojnë 627 bileta, këtë e ka konfirmuar Federata e Futbollit të Çekisë, ku ka thënë se këto bileta mund t’i sigurojnë përmes FFK-së.

“Të gjithë të interesuarit, këto bileta mund t’i sigurojnë nëpërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës. Janë 627 bileta që do t’iu takojnë në cilësinë e tifozëve mysafirë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Çekisë.

Mirëpo, Diturie Hoxha, nga Federata e Futbollit të Kosovës, ka zbuluar për Kallxo.com, se të gjithë biletat 627, do t’i takojnë tifozërisë zyrtare të Kombëtares së Kosovës, “Dardanëve”.

“627 biletat, 5 përqindëshi, shkon për tifozët Dardanët ultras”, ka treguar Hoxha për KALLXO.com.