FFK-ja diskuton për aplikimin e VAR-it në Kosovë

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se kryetari Agim Ademi dhe sekretari Eroll Salihu, janë takuar me presidentin e FSHF-së, Aramando Duken.

Në këtë takim krerët e FFK-së kanë diskutuar për aplikimin e sistemit VAR në futbollin e Kosovës për sezonin e ardhshëm.

“FFK është duke punuar në drejtim të përshpejtimit të këtij procesi, në mënyrë që edhe në Kosovë VAR-i të fillojë të aplikohet në një afat sa më të shpejtë që është e mundur, teksa përvoja e FSHF-së në këtë drejtim mund të ndihmojë shumë. Në fakt, FFK-ja do ta përdorë të njëjtin sistem si FSHF-ja, që është njëri prej sistemeve më të avancuara, e ku do të shfrytëzohet edhe përvoja dhe softuerët e tyre. Kjo gjë do të mundësojë trajnimin intensiv të gjyqtarëve me sistemin VAR dhe do ta bëjë të mundur përshpejtimin e aplikimit të tij në kampionatin tonë”, thuhet në komunikatën e FFK-së.

VAR-i në futbollin kosovar pritet të jetë mobil, për këtë gjë FFK-ja kërkon përkrahje nga FIFA dhe institucionet përkatëse të shtetit.

“FFK-ja është këmbëngulëse që ta realizojë këtë projekt, për çka do të kërkojë edhe fonde nga FIFA por edhe nga institucionet përkatëse të shtetit, duke pasur parasysh se një sistem i tillë tashmë është bërë i domosdoshëm për futbollin”, thuhet në njoftimin e FFK-së.