FFK-ja dënon dhunën në futboll

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar për shfaqjen e dhunës në futboll gjatë të shtunës dhe ditës së sotme.

Në reagimin e FFK-së thuhet se dhuna pa marrë parasysh situatën dhe rrethanat është e pa pranueshme dhe se do të marrin të gjitha masat ndaj të gjithë të përfshirëve në këta skena të pahijshme.

“U bëjmë thirrje edhe organeve të rendit dhe të drejtësisë që të veprojnë në parandalimin dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që shfaqin dhunë në fushat e gjelbra. FFK nuk do të lejojë që disa individë të papërgjegjshëm ta dëmtojnë mbarëvajtjen e garave dhe ta prishin imazhin e mirë të futbollit tonë, të cilin e kemi krijuar me shumë mund e djersë. Njëherësh, kërkojmë edhe nga zyrtarët tanë që punën e tyre ta kryejnë me profesionalizëm e përgjegjësi për çka edhe janë të thirrur, teksa nga klubet kërkojmë organizim të mirëfilltë dhe të mos lejojnë që në stadiume të ketë njerëz të tillë të pandërgjegjshëm”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Të shtunën plasi dhuna në ndeshjen Fushë Kosova – Vjosa, ndeshje që luhet në Ligën e Dytë, duke u ndërprerë para kohës.

Gjatë ditës së sotme u sulmua gjyqtari i ndeshjes Ferizaj – Ulpiana në Ligën e Parë dhe pati përleshje në ndeshjen e Ligës së Dytë mes Minatorit dhe Beharit.