Foto: FFK

Federata e Futbollit kërkon përshpejtim të marrjes së pasaportave për futbollistë

Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë një kërkesë drejt institucioneve kosovare për pajisjen në formë të përshpejtuar me pasaporta të futbollistëve që jetojnë jashtë vendit.

Këtë kërkesë e ka drejtuar i pari i FFK-së dhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.

“Kërkohet nga institucionet shtetërore kompetente – Presidenca, që ta zgjedhin rrugën dhe kohën më të shpejtë të mundshme për të dekretuar dhe për të pajisur me pasaportë sportistët tanë në përgjithësi, sepse procedura e tanishme dhe kërkesa e dokumentacioneve të shumta bënë që sportistët tanë të kenë probleme të natyrave të ndryshme, sidomos në shtetet evropiane ku ata jetojnë e veprojnë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ata thonë se po kërkojnë procedurë të veçantë për sportistët e cila do të mundësonte dekretimin dhe pajisjen e tyre me nënshtetësi dhe pasaportë në afatin më të shpejtë të mundshëm.

“Ky veprim do të mundësonte kompletimin e ekipeve tona sportive dhe do ta realizonte më shpejtë dëshirën e madhe të bashkatdhetarëve tonë që nëpërmjet sportit të japin kontributin për atdheun e tyre – Kosovën. Besojmë se kjo kërkesë e jona do të hasë në mirëkuptimin e plotë të institucioneve shtetërore dhe në të ardhmen sportistët tanë nuk do të hasin telashe të tilla procedurale për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës, ngase edhe koha e tyre për t’u marrë me çështje të tilla është e limituar, duke pasur parasysh faktin se janë pjesë të klubeve të mëdha evropiane”, thuhet në fund të njoftimit”, thuhet në njoftim.