Evra i quan Arsenalin ‘bebet e mija’: Reagon Granit Xhaka

Arsenali mbrëmë pësoi humbje befasuese nga Sheffield Unitedi, me rezultat 1-0, ndeshje e vlefshme për xhiron e nëntë në Premierligë.

E për këtë ka komentuar ish –mbrojtësi i Manchester Unitedit, Patrice Evra, duke thënë se ai i thërriste ata bebe para 10 viteve, ai thotë se Arsenali janë ende ashtu.

“Unë i thërrisja ata bebet e mija, para 10 vjetëve, e ata ende ashtu janë kur i shoh sot. Kjo është e vërteta, unë nuk jam duke i mos respektuar ata kur e them këtë”, ka thënë Evra.

Mbrojtësi francez ka thënë se Arsenalit i pëlqen vetëm të luajnë bukur, por jo edhe të fitojnë.

“Kjo është thjesht ndjesia që e kam për këtë ekip. Ata duket të bukur, por nuk duken si një ekip fitues, atyre thjesht ju pëlqen të luajnë futboll të mirë”, ka deklaruar ish-futbollisti i Juventusit.

E për këtë iu përgjigj kapiteni i Arsenalit Granit Xhaka.

Xhaka ka thënë se njerëzit flasin vetëm marrëzira.

“Unë kam shumë respekt për të sepse ai ishte një lojtar i shkëlqyer, por duhet të jesh i kujdesshëm për ato që thua. Ai e di këtë situatë po ashtu, por nuk është vetëm ai. Shumë njerëz flasin një mori marrëzirash dhe është gjithnjë e njëjta gjë. Ne duhet të ndalojmë së foluri rreth ‘anës mentale të lojës’ dhe marrëzira si kjo. Më vjen keq që po e them, por për mua është e njëjta gjë, pavarësisht a luan në shtëpi apo jashtë, ne duhet të fitojmë dhe të tregojmë karakter të fortë dhe të mos kemi të njëjtin justifikim”, ka deklaruar Granit Xhaka.

 

Mesfushori nga Kosova, ka thënë se Evra po flet marrëzira për çdo vikend dhe nuk meriton respekt.

“Për mua është e çuditshme sepse ata kanë qenë në të njëjtën situatë sikurse ne, ndonjëherë mirë e ndonjëherë jo aq mirë, por ashtu sikurse thash, nëse ju flisni marrëzira të tilla për çdo vikend, atëherë ajo se çfarë thonë nuk meriton më respekt”, ka thënë Granit Xhaka.

Arsenali pas nëntë xhirove i ka grumbulluar 15 pikë dhe pozicionohet në vendin e pestë.