Ekipi i Formula 1 shkëput kontratën me pilotin rus, Nikita Mazepin

Ekipi i Formula 1 me bazë në SHBA, Haas, ka vendosur t’i jap fund kontratës me pilotin 23-vjeçar rus, Nikita Mazepin “me efekt të menjëhershëm”. Ata hoqën dorë gjithashtu nga një marrëveshje sponsorizimi me kompaninë ruse të minierave Uralkali, ku babai i shoferit Dmitry Mazepin është drejtor joekzekutiv.

Marrëveshja mes kompanisë Uralkali dhe ekipit Hass thuhet se i solli rreth 40 milionë euro në vit kësaj të fundit, e cila e ka selinë e saj në SHBA.

“Ashtu sikurse pjesa tjetër e komunitetit të Formula 1, ekipi Hass është i tronditur dhe i pikëlluar nga pushtimi i Ukrainës dhe dëshiron një përfundim të shpejtë dhe paqësor të konfliktit”, tha kompania.

Familja Mazepin besohet të jetë e afërt me presidentin rus Vladimir Putin, me Mazepin i cili postoi një foto të tij dhe babait të tij duke u takuar me presidentin rus në tetor të vitit 2020.

Mazepin po garonte për Haas së bashku me Mick Schumacher, djalin 22-vjeçar të legjendës së garave Michael Schumacher. Mazepin ishte pjesë e ekipit Hass për një sezon, mirëpo nuk arriti ta regjistrojë asnjë pikë gjatë kampionatit.

Ende është e paqartë se kush do ta zëvendësojë pilotin Mazepin, më pak se dy javë përpara se sezoni të hapet zyrtarisht në Bahrein.

Përpara njoftimit të së shtunës, Haas kishte larguar tashmë logon e markës Uralkali nga bolidet e tyre.

Të enjten, organizatorët e Formula 1 thanë se kishin përfunduar kontratën e tyre me organizatorët e Çmimit të Madh të Rusisë dhe nuk do të zhvillonin gara atje./DW