Edhe presidenti i UEFA-s reagon për gjendjen e krijuar në futbollin e Kosovës

Për gjendjen e krijuar në futbollin e Kosovës, ka reaguar edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, pas reagimit të presidentit të FIFA-s, Gianni Infatinos.

Çeferin është takuar me krerët e futbollit kosovar, Agim Ademin dhe Bakir Burrin, duke u shprehur i habitur me ndodhitë e fundit brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sipas njoftimit të FFK-së, ai ia ka tërhequr vrejtjen Kosovës që të kenë kujdes dhe ta ruajnë futbollin.

Më poshtë mund të shihni njoftimin e plotë të FFK-së:

Presidenti Ademi në Varshavë e ka zhvilluar takim edhe me presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin, të cilin nga afër e ka njoftuar për punën e bërë deri më tash, por edhe për zhvillimet e fundit rreth FFK-së. Me këtë rast, presidenti Çeferin u shpreh i shqetësuar dhe i habitur si mund të ndodhë kjo në Kosovë dhe si dëmtohet procesi në sport. Çeferin në takimin që e patën me të gjithë krerët e federatave tregoi se është i njoftuar nga Ademi për gjithçka që nga fillimi dhe me këtë rast shprehu përkrahjen e fuqishme për presidentin Ademi dhe stafin e tij, duke treguar gatishmëri që t’i mbrojë në rrugën e drejt dhe të vështirë për ta mbajtur futbollin larg njerëzve të politikës dhe grupeve të interesit. Ai ia tërhoqi vërejtjen Kosovës që të kenë kujdes që ta ruajnë futbollin dhe mos të prishet ëndrra e tyre dhe dëshira e miqve për suksese dhe simpati, derisa theksoi se për UEFA-n është plotësisht e qartë dhe e rregullt zgjedhja e presidentin Ademi për mandat katërvjeçar në krye të FFK-së.