Dy vjet nga vdekje e njeriut që e pavarësoi futbollin e Kosovës

9 qershori i vitit 2018, në Kosovë ishte ditë e keqe, pasi legjenda e futbollit kosovar dhe kryetari  i Federatës së Futbollit të Kosovës, kishte vdekur në mëngjesin e asaj dite pas një sulmi në zemër.

Ish-kryetari i FFK-së, nuk i kishte mbijetuar sulmit në zemër që e kishte pësuar në mëngjesin e 9 qershorit 2018, dhe kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në moshën 57 vjeçare.

Në dy vjetorin e vdekjes së legjendës kosovare të futbollit, ministra, futbollistë e tifozë bën homhazhe te varri i Fadil Vokrrit.

Pasardhëzi i Fadil Vokrrit, në FFK, Agim Ademi, ka thënë se Vokrri do të jetë frymëzim për gjeneratat e reja.

“Vokrri thjesht është frymëzim për të gjithë futbollistët. Është njeriu që na ka bashkuar dhe besoj që emri i tij sërish do të na bashkojë, sepse ai ka qenë unifikues dhe gjithmonë do të jetë i tillë. Ne, do të vazhdojmë me punën tonë sepse futbolli tashmë është bërë krenaria e këtij populli”, ka thënë Agim Ademi.

Kurse, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e ka vlerësuar kontributin e Vokrrit në të gjitha etapat, e me theks të veçantë në anëtarësimin e Kosovës në UEFA e FIFA.

“Vokrri ka qenë një njeri shumë i madh, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për sportin në Kosovë në faza të ndryshme të jetës së tij, e veçmas në kohën e fundit kur arriti ta anëtarësojë FFK-në në UEFA e FIFA. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm dhe ne si MKRS gjithmonë do ta mbështesim amanetin e tij që sportin ta dërgojmë në nivele sa më të larta”, është shrephur Dumoshi, pas homazheve të bëra te varri i Fadil Vokrrit në Prishtinë.

Vdekjen e Fadil Vokrrit, Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, e konsideron si goditje të madhe për ata që ishin pjesë e futbollit.

“Vokrri ka qenë dhe mbetet legjendë e futbollit, por jo vetëm aq. Të jesh futbollist i mirë nuk do të thotë të jesh edhe lider i mirë, por Fadili ka qenë njeri me zemër të bardhë dhe me mendje të shëndoshë. Ai ka qenë një diplomat, një njeri në vendin e duhur”, ka thënë Salihu.

Në dy vjetorin e vdekjes, në stadiumin e Prishtinës, që mban emrin e tij, është zbuluar maketi i legjendës së futbollit kosovar.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zbuluar se ky ishte aktiviteti i parë i qeverisë Hoti, i cili u votua në kuvend në javën e kaluar.

“Fadil Vokrri do të jetë ikona jonë. Fadil Vokrri do te jetë i pavdekshëm për popullin tonë”, është shprehur Dumoshi.

Ndërkaq, kryeministri Avdullah Hoti tha se Fadil Vokrri mbetet legjendë për brezat e rinj.

“Vokrri mbetet legjenda edhe për brezat e rinj, sot bëjmë zbulimin e maketit të shtatores së tij”, vlerësoi Avdullah Hoti.

Gramosi, djali i Fadilit, tha se kjo ditë është e veçante, duke bërë që futbolli t’i bashkoj në kohë pandemie.

“Sot është një ditë e veçantë. Në emër të familjes, më lejoni të ju falënderojë të gjithëve. Sot më vjen mirë qe futbolli na bashkon edhe në kohë pandemie”, deklaroi i biri i legjendës, Fadil Vokrri, Gramozi.

Për dy vjetorin e vdekjes së Vokrrit, ka shkruar edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke thënë se do dashurinë për futbollin e shnëdërroi në kontribut jetësor për Kosovën.

“Dashurinë për futbollin e shndërroi në kontribut jetësor për Kosovën. Në dyvjetorin e vdekjes e kujtojmë legjendën Fadil Vokrri, i cili e zhvilloi dhe ndërkombëtarizoi sportin kosovar në arenën ndërkombëtare. Me profesionalizimin, urtësinë dhe vizionin e tij, Vokrri arriti ta anëtarësoi Kosovën në UEFA dhe FIFA. Gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij!”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në rrjetet sociale, duke e kujtuar Fadil Vokrrin me një foto së bashku me të.

Fadil Vokrri dhe Hashim Thaçi

Ndërsa, ish-kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varri i Fadil Vokrrit, duke shkruar për të se ishte ai ishte arsyeja e fitores, se punoi shumë pa u lodhur për pasionin e vajzave dhe djemve tanë.

“Fitoret e Prishtinës ishin të lidhura me emrin e tij. Vokrri ishte arsyeja e fitores sepse kur topi ishte në këmbën e tij ai e pushtonte fushën. Tregojnë bashkëlojtarët e tij me gjysëm shaka: ‘kur ndeshja ishte sfilitëse dhe donim të pushonim ia kalonim topin Fadilit’. Kështu ishte edhe në Federatë. Punoi shumë e pa u lodhur për pasionin e vajzave e djemve tanë”, ka shkruar Kurti, për legjendën Fadil Vokrri, pas homazheve që ia bëri te varri i tij së bashku me disa zyrtarë të Vetëvendosjes.

KUSH ISHTE LEGJENDA FADIL VOKRRI SI FUTBOLLIST DHE ÇKA BËRI SI KRYETAR I FEDERATËS SË FUTBOLLIT TË KOSOVËS

Fadil Vokrri, kishte lindur më 23 korrik të vitit 1960, në Sfeçël të Podujevës.

Karrierën e tij futbollistike e nisi në vendlindje të KF Llapi duke luajtur si qendër sulmues duke e bartur numrin 9 mbi shpatullat e tij. Falë paraqitjeve të mira, Vokrri në vitin 1980 iu bashkua Prishtinës.

Te Prishtina, qëndroi për gjashtë vite, duke bërë super paraqitje të mira te kryeqytetasit. Vokrri sa ishte pjesë e “plisave”, kërkohej nga shumë skuadra, por ai vendosi që të ndërroj ambient në vitin 1986, duke iu bashkuar Partizanit të Beogradit.

Si te Prishtina, edhe te serbët e vazhdoi formën e mirë ylli kosovar nga Podujeva. Në vitin 1987, gjiganti italian, Juventus, bëri ofertë për Vokrrin, por ai ishte duke e kryer shërbimin ushtrak të obliguar dhe kjo u bë pengsë që t’i bashkohej “zonjës së vjetër”.

Te Partizani, qëndroi vetëm tri sezone, pasi në vitin 1989, u transferua te skuadra franceze, Nimes.

Aventura e tij te skuadra franceze, Nimes, nuk zgjati shumë, pasi iu bashkua gjigantit turk, Fenerbahçe.

Për Fenerbahçen për dy sezoni i bëri 43 paraqitje, duke i shënuar 13 gola dhe 16 asistime në Superligën e Turqisë, kurse në Kupën e Turqisë, i luajti tri ndeshje duke e shënuar një gol.

Në vitin 1992 u kthye në Francë te skuadra e Bourges, ku qëndroi për një sezon.  Në vitin 1993, iu bashkua skuadrës së Montluçon Foot, në të cilën e përfundoi karrierën e tij si futbollist në vitin 1995, si 35 vjeçar.

Vokrri, po ashtu e prezantonte edhe Kombëtaren e ish-Jugosllavisë, debutimin e tij me këtë kombëtare e bëntë më 12 shtator të vitit 1984, sa ishte pjesë e Prishtinës. Ai i bëri 12 paraqitje për ish-Jugosllavinë duke kontribuar me 6 gola.

Fadil Vokrri, pas pensionimit nga futbolli aktiv, qëndroi në Francë me familjen e tij, duke ushtruar zejen e trajnerit.

Legjenda kosovare, nuk e harroi vendin e tij dhe u kthye në Kosovë, më 16 shkurt të vitit 2008, u zgjodh për herë të parë si kryetar i FFK-së, ai qëndroi për tri mandate në krye të FFK-së.

Ikona e futbollit kosovar, ishte njëri prej njerëzve më meritor për pranimin e Kosovës në UEFA dhe në FIFA, në vitin 2016.

Kështu kishte deklaruar Vokrri, pas pranimit të Kosovës në UEFA.

“Ky është një moment historik dhe unë premtoj se do t’i premtoj vlerat e futbollit. Duam t’i bëjmë njerëzit bashkë brenda dhe jashtë fushës”, kishte thënë Fadil Vokrri.

Pranimin në UEFA ia panë hairin klubet Superligës së Kosovës në futboll, pasi mund të garojnë për pjesëmarrje në dy garat më të mëdha europiane siç janë Liga e Kampionëve dhe Liga e Europës.

Kurse, Kombëtarja e Kosovës, u shndërrua në një kombëtare të cilës ia ka lakmi gjithësecili, pas ardhjes së trajnerit Bernard Challandes në krye të “dardanëve”, të cilin e sjelli Fadil Vokrri.

Legjendat nuk vdesin kurrë, ata përkujtohen përgjithmonë, Fadil Vokrri, është njëri prej tyre që do të përmendet sa të ekzistoj futbolli.