Dy anëtarë të klubit KF Vushtrria testohen për coronavirus

Gjatë ditës së sotme është raportuar se dy futbollistë të Klubit të Futbollit ‘Vushtrria’ kanë shfaqur simptoma të coronavirusit.

KALLXO.com, ka kontaktuar sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihun, në lidhje me gjendjen e krijuar te skuadra e Vushtrrisë.

Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, ka konfirmuar se janë duke u testuar për coronavirus një futbollist dhe ekonomi i KF Vushtrrisë. Ai ka bërë të ditur se gjendja e tyre nuk është e keqe siç është raportuar në media.

“Kryetari dhe drejtoi i klubit të Vushtrrisë kanë qenë në FFK, ne i kemi marrë të dytë, në fakt njëri nuk ish lojtar hiç, njëri ka qenë ekonom aty edhe ky tjetri nuk ish në gjendje të rëndë, i kemi marrë dhe jemi duke i testuar, drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare, Rrezart Haliti i ka marrë i ka dërguar në testim, tasht po i presim rezultatet, sepse nuk ishin në gjendje të rëndë, ish një lojtar dhe një ekonom”, ka thënë Eroll Salihu për KALLXO.com.

Salihu ka thënë do t’i testojnë vetëm lojtarët që shfaqin simptoma dhe duhet të izolohen.

“Duhet me i izolu edhe të tjerët nëse shfaq dikush ndonjë simptomë, atëherë duhet edhe ata me i testu duhet me iu përshtat situatës. Testimet duhet me i bo nëse ndonjë lojtar që ka simptoma, çdo lojtar që ka simptoma duhet me u testu”, ka bërë të ditur Eroll Salihu.

KALLXO.com, e ka pyetur Salihun se a do të testohen të gjithë futbollistët dhe stafi i skuadrave të Vushtrrisë dhe Flamurtarit, pasi këto dy të fundit kanë kërkuar një gjë të tillë. Salihu, ka thënë se nuk do të testohen komplet skuadrat, por vetëm lojtarët që shfaqin simptoma.

“Jo nuk kanë me u testu komplet skuadrat të Vushtrrisë dhe Flamurtarit, vetëm lojtarët që kanë simptoma”, ka bërë të ditur sekretari i FFK-së.

Kujtojmë se para rifillimit të sezonit në Superligën e Kosovës janë testuar të gjithë skuadrat dhe kanë rezultuar negativ në testet për coronavirus.

Vushtrria në xhiron e ardhshme do të luaj ndaj Trepçës ’89.

 

.