Duro pas humbjes ndaj Gjilanit: Kemi bërë lojë të mirë, pavarësisht rezultatit

Feronikeli ka pësuar humbje me rezultat 1-0, nga Gjilani, ndeshje e vlefshme për xhiron e 28-të në Superligën e Kosovës.

Trajneri i kësaj skuadre, Klodian Duro, ka thënë se ia ka munguar fati skuadrës së tij në këtë ndeshje. Ai ka thënë se në futboll ka të papritura të cilat i bëjnë më të fortë.

“Sigurisht që kemi bërë lojë të mirë, pavarësisht rezultatit. Në futboll gjithçka ndodh. U rikthyem në lojë mirë, përballë një Gjilani që është një nga ekipet më të forta në ligë. Por që të shkonim te goli, na mungoi fati, vendosmëria dhe merita ka edhe portieri Koliqi. Asnjë ekip nuk është në objektivat e veta, aq më tepër ne. Jemi munduar të krijojmë një grup me harmoni. Me ulje dhe ngritje jemi një grup shumë i fortë, siç e patë në fushën e lojës. Asgjë nuk ka mbaruar për asnjë ekip. Kemi një pozitë pak më komode me pikë, por jo komode për ne sepse ky nuk është vendi i Feronikelit. Në këtë edicion kemi bërë maksimumin që për një kohë të shkurtër ta kapnim Evropën. Futbolli ka të papritura. Të papriturat na bëjnë të fortë dhe duhet të shikojmë përpara”, theksoi Duro.

Pas kësaj humbje Feronikeli pozicionohet në vendin e gjashtë me 34 pikë.