Dumoshi: Nëse nuk respektohen masat, do të detyrohemi t’i pezullojmë garat në futboll sërish

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumshi, sot ka zhvilluar një takim me krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës, kryetarin Agim Ademin dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu.

Dumoshi në këtë takim ua ka kumtuar vendimin që kanë ndërmarrë për lejimin e zhvillimit të stërvitjeve në futboll.

MKR, ka njoftuar se FFK-ja, duhet t’i përmbahet udhëzuesit të përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin e luftimit të coronavirusit.

Ministrja Dumoshi ua sqaroi krerëve të FFK-së se fillimisht lejohet që të startojë me përgatitje dhe gara Superliga e Kosovës, e pas disa javëve ligat e tjera. Ministrja porositi kryetarin Ademi e sekretarin Salihu që në përgjegjësinë e organizimit dhe menaxhimit që kanë për futbollin në Kosovë, të ndërmarrin të gjitha masat që parashihen për pastrimin dhe dezinfektimin e hapësirave ku do të zhvillohen aktivitetet e futbollit.

“Ne si ministri do të përcjellim me seriozitetin më të madh dhe nga afër se si po menaxhohet organizimi i stërvitjeve dhe i garave në futboll në këtë kohë pandemie dhe nëse ka ndonjë parregullsi do të ndërmarrim masa konform sugjerimeve të institucioneve shëndetësore dhe nëse është e nevojshme do të ndërpresim prapë garat nëse nuk respektohen këto masa”, ka deklaruar Vlora Dumoshi.

Klubeve të futbollit në Kosovë u lejohen stërvitjet