Drita fiton si mysafir ndaj Vushtrrisë dhe rrëmben vendin e parë (FOTO)

Skuadra e Dritës ka vazhduar me fitore, pas fitores ndaj Gjilanit, ish-kampionët e Kosovës, kanë shënuar një fitore të vështirë ndaj Vushtrrisë me rezultat 3-2, ndeshje e vlefshme për xhiron e 19-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Ndeshjen më mirë e nisën mysafirët duke kaluar në epërsi në minutën e 18’ me golin e Izair Eminit pas asistimit të Ilir Blakqorit.

Vendasit iu kundërpërgjigjen Dritës, duke e barazuar rezultatin me Drilon Fazliun në minutën e 31’.

Por, gjilanasit e rikthyen epërsinë përsëri pas golit të mesfushorit nga Shqipëria, Erjon Vucaj.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat 2-1, për Dritën.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Vushtrrinë, duke e barazuar rezultatin në minutën e 61’ me Blert Istrefin.

Golin e fitores për Dritën e shënoi Kastriot Rexha, duke shënuar me kokë në minutën e 72’.

Pas kësaj fitoreje Drita pozicionohet në vendin e parë me 37 pikë, po aq pikë sa ka Ballkani që është në vendin e dytë me një ndeshje më pak të zhvilluar.