Drita dhe Ballkani zhvillojnë ndeshjen e sezonit në Gjilan
Xhiro e 33-të në Albi Mall Superligë ka startuar ditën e shtunë me dy sfida që ishin në program, ku Dukagjini mposhti Malishevën 1-0 dhe Trepça ’89 triumfoi përballë Drenicës 3-1.
Sot (e diel) në program janë tre super sfida të tjera, ku secila është më e rëndësishme se tjetra.
Padyshim që vëmendja e gjithë adhuruesve të futbollit kosovar është në Gjilan, ku dy skuadrat e para në tabelë, Drita dhe Ballkani përballen me njëra tjetrën.
Bardhekaltërtit janë të parët në renditje me 66 pikë, tre më shumë se Ballkani që zë vendin e dytë kur kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund të këtij sezoni.
Si vendasit ashtu edhe mysafirët kërkojnë fitoren, me Dritën që një tre pikësh do t’i afronte shumë te titulli.
Ndërkohë suharekasit nuk kanë se çfarë të humbasin dhe vetëm fitorja i mbanë gjallë në garë për titullin.
Super sfidë për Evropën zhvillohet në kryeqytet, ku Prishtina përballet me Gjilanin.
Pas fitores së Dukagjinit, Prishtina është e detyruar të marrë tre pikët, derisa Gjilani synon që mos të mposhtet në këtë sfidë që ta ruaj distancën me skuadrat përcjellëse.
Sfidë shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në Podujevë mes Llapit dhe Ferizajt.
Vendasit kërkojnë pikët për të mbetur në garë për Evropën, derisa mysafirët kërkojnë pikët për mbijetesën. /Telegrafi/