Drejtori sportiv i Fiorentinës: Hoqëm një barrë të madhe me largimin e Chiesas, gabuam që e bëmë kapiten

Fiorentina dhe Juventusi njihen për rivalitetin e madh ndërmjet tyre në aspektin sportiv.

Juventusi gjatë merkatos së verës në ditën e fundit ia rrëmbeu Fiorentinës, kapitenin Federio Chiesan, i cili cilësohet si njëri prej lojtarëve më të talentuar në Itali.

Shitja e Chiesas në Juventus ka lënë shije të keqe te tifozët e Fiorentinës.

Drejtori sportiv i Fiorentinës, Daniele Prade, ka thënë se janë të lumtur me shitjen e Chiesas duke larguar një barrë të madhe.

“Çështja Chiesa ishte shndërruar në një telenovelë dhe më shumë sesa për Fiorentinën, flitej për largimin e tij.Ishte shndërruar në një peshë shumë të rëndë, pasi në çdo dalje për mediat, merrte vëmendje e ardhmja e tij, ndaj jemi të kënaqur që e hoqëm këtë barrë. Operacioni ishte shumë i suksesshëm si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë sportiv”, ka thënë fillimisht Prade.

Prade ka zbuluar se 22 vjeçari italian kishte oferta nga Anglia, por i refuzoi ato duke dëshiruar qëndrimin në Serie A.

“Nuk e di a mund të fitonim më shumë nga ai, pasi kemi pasur oferta edhe nga klubet angleze, por Federico refuzoi të gjitha, pasi donte vetëm qëndrimin në Itali dhe këtu vetëm Juventus kishte bërë ofertë”, ka thënë Daniele Prade.

Daniele Prade ka thënë se kanë gabuar që ia kanë dhënë Chiesas shirtin e kapitenit në ndeshjen e fundit.

“Mendoj se shiriti i kapitenit në ndeshjet e fundit ishte një gabim, pasi ai nuk kishte treguar asnjë shenjë respekti ndaj klubit dhe kishte refuzuar çdo mundësi bashkëpunimi”, ka thënë Prade.