“Dora e Zotit” në duar të Zotit

Në fushën e futbollit, ai konsiderohej një gjeni ndërsa jashtë saj ai ishte një personazh i njohur praktikisht kudo, nga të gjithë.

Futbollisti i madh argjentinas dhe botëror, legjenda e futbollit, Diego Maradona ka vdekur ditën e  mërkurë, në moshën 60 vjeçare.

Maradona ka lindur më 30 tetor 1960 në Villa Fiorito, një lagje e varfër në periferi të Buenos Aires.

I rritur në varfëri, ai nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale në futboll në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare dhe mbështeti familjen e tij që nga ajo ditë.

Sulmuesi legjendar pësoi arrest kardiak në shtëpinë e tij në Tigre të mërkurën, ku ishte duke u rikuperuar nga operacioni i fundit i trurit.

Vetëm pak ditë më parë, Maradona kishte kryer një operacion për mpiksjen e gjakut në tru, ndërsa më herët ishte prekur edhe nga koronavirus.

Maradona konsiderohet si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, pasi si kapiten i Argjentinës doli triumfues i Kupës së Botës së vitit 1986 në një nga katër paraqitjet në turneun Botëror midis viteve 1982 dhe 1994.

Ishte i guximshëm, i shpejtë dhe krejtësisht i paparashikueshëm. Ishte një mjeshtër sulmi, duke dribluar topin lehtë nga një këmbë në tjetrën ndërsa vraponte dhe garonte në fushë. Këmba e tij majtë ishte shkatërruese për secilin kundërshtar në fushë. Ishte arma e tij më e fuqishme.

Ai ishte gjithashtu i njohur për golin e tij ‘Dora e Zotit’ kundër Anglisë në çerekfinalen e vitit 1986, kur shutoi topin mbi kokë të portierit të Anglisë Peter Shilton pasi paraprakisht e kishte prekur me dorë në një incident i cili kaloi pa u vërejtur nga arbitri kryesor i ndeshjes.

Mosha e vjetër nuk ishte kurrë një opsion për Diego Armando Maradonën. Ai ishte lloji më i keq i fëmijës, dikush që nuk u rrit kurrë. I vetmi vend ku ai kishte një sens përgjegjësie ishte fusha e futbollit. E vetmja herë kur ai nuk lëshoi pe asnjëherë ishte kur ai kishte një top në këmbët e tij. Apo dorën e tij.

Ai ishte më shumë si një adoleshent i tejkënaqur i cili kurrë nuk e kuptoi se ku ishin kufijtë e ndalesës. Futbolli është një strehë edhe përkundër moshës madhore, për të gjithë, megjithëse; një vend ku lojtarët dhe tifozët mund të veprojnë si fëmijë.

Sa i mirë ishte Maradona? Askush nuk ishte më i mirë se ai. Loja e futbollit ishte e vetmja rrugëdalje për pjekurinë e tij. Ai ishte aq i talentuar, jashtëzakonisht shumë, saqë mund të fitonte një lojë më vete.

Paraqitja e parë e Maradonës ishte për klubin ‘Argentinos Juniors’ para se të siguronte një lëvizje në ‘Boca Juniors’. Pas vetëm një sezoni të plotë me këtë klub, ai u transferua në Barcelonë për një çmim rekord botëror prej 5 milion funtash britanikë, ku ai ndihmoi Barcelonën të fitojë titullin e Copa del Rey dhe Superkupën Spanjolle duke marrë aplaudime të mëdha edhe jashtë fushe gjatë El Clasicos nga rivali i përjestshëm, Real Madrid.

Pas dy sezonesh në Spanjë, Maradona u bashkua me Napolin, ku ai ndihmoi skuadrën italiane që të sigurojë dy tituj të Serisë A dhe Kupën e Italisë, si dhe Kupën e Uefa 1988/89.

Pas një periudhe të shkurtër me ‘Sevillan’, Maradona u kthye në Argjentinë me ‘Newell’s Old Boys’, para se të përfundonte karrierën e tij përsëri në ‘Boca Juniors’ ku doli në pension në  vitin 1997.

Por ishte rekordi i tij ndërkombëtar që i dha jehonë të madhe popullaritetit të tij si dhe la gjurmë të pashlyeshme në  trashëgiminë e tij sportive, me 34 gola në 91 paraqitje për Agjentinën duke përfshirë fitoren e famshme të Kupës së Botës në vitin 1986. Ai udhëhoqi Argjentinën përsëri në Kampionatin Botëror të Futbollit Italia 1990, ku Argjentina mezi arriti të mbajnë statusin e saj si kampion bote pas një humbje në finalen e këtij kampionati me rezultat 1-0 kundër Gjermanisë Perëndimore.

Në Kampionatin e radhës të Botës në Futboll, SHBA 1990, me gjithë faktin se Maradona mbante peshën dhe titullin e kapitenit të Argjentinës për të tretën herë radhazi në një kampionat Botëror, kokëulur dhe i turpëruar, Maradona ai u  detyrua të largohet nga ky kampionat pasi doli pozitiv në testin për efedrinë. Këtu edhe merr funda epoka e artë e Maradonës në skenën ndërkombëtare të futbollit sa i pëket paraqitjeve në nivel shtetesh.

Megjithatë fama e tij kolosale mbeti e tejkufishme edhe për shumë kohë. Përgjithmonë.

Vdekja e tij, relativisht, e hershme, ka shkaktuar reagime të shumta kudo andaj bota sot, me pikëllim të madh, vajton humbjen e një prej futbollistëve më të mëdhenj ndonjëherë.

Argjentina, Napoli dhe bota e futbollit kishin ditë zie të mërkurën pas lajmit të vdekjes së Diego Maradonas, në sytë e shumë njerëzve lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, si pasojë e një sulmi në zemër. Maradona vdiç në moshën 60 vjeçare.

Presidenti argjentinas Alberto Fernández, i cili ka shpallur tri ditë zie kombëtare, tha se Maradona e kishte çuar vendin e tij në “pikën më të lartë të botës” me shfaqjet e tij prej artisti në Kupën e Botës së vitit 1986 në Meksikë. “Na keni bërë jashtëzakonisht të lumtur”, ka shkruar ai. “Ishit më i madhi nga të gjithë. Faleminderit që ekzistove, Diego. Do të na mungosh gjithë jetën ”.

Kur lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur, disa transmetues të lajmeve në Argjentinë nuk mund t’i mbanin lotët. “Një pjesë e fëmijërisë sonë ka vdekur,” ishin fjalët e një prezantuese në kanalin televiziv argjentinas. “Mendova se ai nuk mund të vdiste kurrë”, deklaronte një tjetër.

Ylli argjentinas Lionel Messi, të cilin shumë e konsiderojnë si Maradonën e ditëve të sotme, tha se ishte një “ditë shumë e trishtuar”.

“Ai na la mirëpo ai nuk shkon askund sepse Diego është i përjetshëm. Unë i mbaj të gjitha momentet e bukura të jetuara me të dhe doja t’u dërgoja ngushëllimet dhe urimet e mia të gjithë miqve dhe familjes së tij,” ka shkruar Messi në profilin e tij në Instagram.

Pelé, një tjetër legjendë e lojës, shkroi në Twitter: “Unë kam humbur një mik të madh dhe bota humbi një legjendë. Ka akoma shumë për të thënë, por tani për tani, Zoti i dhëntë forcë anëtarëve të familjes së tij. Një ditë, shpresoj, ne do të luajmë futboll së bashku në parajsë “.

Ndërkohë, ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo i tha lamtumirë një “gjeniu të përjetshëm”.

Një nga më të mirët ndonjëherë. Një magjistar i pashembullt. Ai iku shumë shpejt, mirëpo lë një trashëgimi të madhe dhe një boshllëk që nuk do të plotësohet kurrë. Pusho në paqe. Nuk do të harrohesh kurrë”, shkroi Ronaldo në Twitter.

Ndërkohë që ndikimi i tij në futboll nuk do të harrohet kurrë, Maradona e tejkaloi edhe këtë sport. Ai ishte më shumë se sporti, shumë më shumë se sa futbolli. Ai ishte legjendë në vete dhe si i tillë do të mbetet gjithmonë.