DOKUMENTE - Standard i dyfishtë nga Komisioni Disiplinor për rastin e gjyqtarit Patriot Fazliu

Ndeshja e ligës së dytë mes Fushë Kosovës dhe Vjosës më 17 prill nuk kishte përfunduar siç duhet.

Në këtë ndeshje kishte shpërthyer dhuna në minutën e 60-të ndeshjes mes dy klubeve dhe nga hyrja e tifozëve në fushë.

Kjo ndeshje ishte ndërprerë me vendim të gjyqtarit Patriot Fazliu, pasi skuadra mysafire, FC Vjosa, kishte refuzuar të dalë përsëri në fushë për shkak të, siç pretendonin, mungesës së sigurisë për ta zhvilluar këtë ndeshje.

Pas këtij zhvillimi, gjyqtari i ndeshjes, Patriot Fazliu, është dënuar me gjashtë muaj mosushtrim të detyrës së gjyqtarit në të gjitha ndeshjet zyrtare të cilat janë të deleguara nga FFK-ja.

Patriot Fazliu po ashtu luan si qendërmbrojtës në klubin KF Kika, që garon në Ligën e Parë, Grupi B, por pas dënimit nga Komisioni i Garave në Ligën e Dytë, Fazliu nuk ka të drejtë të luajë për Kikën për gjashtë muaj.

“Gjyqtari i futbollit nuk mund të paraqitet si lojtarë për klubin i cili garon në Ligën në të cilën gjykon (referon) ai. Gjyqtarët të cilët janë lojtarë aktiv në kohën e dënimit me ndalim të gjykimit (referimit) nuk mund të paraqiten në ndeshjet publike si lojtar, gjegjësisht në kohën e dënimit me ndalesë së ndeshjeve si lojtarë, nuk mund të referojë në ndeshjet publike.Gjyqtarët e dënuar në çfarëdo baze nuk mund të gjykojnë dhe të kryen funksion në asnjë garë të organizuar nga FFK-ja, as në Liga të Seniorëve, të femrave e as në Futsall apo për grupmosha të reja.Të drejtat dhe obligimet e gjyqtarëve përcaktohen me Rregulloret e lojës së futbollit dhe ato të gjyqtarëve dhe gjykimit”, thuhet në nenin 22 të Rregullores së Garave.

Kryetari i Komisionit të Garave në Ligën e Dytë, Ardian Llumnica, kishte vendosur që ta përsërisë ndeshjen e ndërprerë mes Fushë Kosovës dhe Vjosës si arsye që gjyqtari i kësaj ndeshjeje – Patriot Fazliu, i kishte thyer rregullat esenciale të lojës si gjyqtar kryesor i kësaj ndeshjeje.

“Komisioni i garave në rastin e vendimit për përsëritjen e ndeshjes pas administrimit të gjithë provave ka konstatatuar se asnjëra skuadër nuk ka qenë nxitëse e eksesit që ka quar në ndërprerjen e ndeshjes dhe gjithashtu ka konstatuar se kjo ka ardhur si pasoj e shkeljes së rregullave esenenciale nga gjyqtari kryesor i ndeshjes. Me aktet normative të FFK parashihet fillimi dhe rifillimi i ndeshjes. Andaj i njëjti është vlerësuar me notë të dobët edhe nga delegati i ndeshjes”, thuhet në arsyetimin e Komisionit të Garave të Ligës së Dytë.

Delegati i kësaj ndeshjeje, Fatmir Berisha, e ka vlerësuar me notë të dobët gjyqtarin e kësaj ndeshje Patriot Fazliu, i cili e ka ndërprerë ndeshjen pas shprehjes së dhunës në këtë ndeshje dhe refuzimit të ekipit mysafir për të dalë në fushë.

Por, sipas nenit 39 të propozicioneve të garave për Superligë, Ligat e Para, Ligën e Dytë, Superliga B, junior dhe kadetë për vitin 2020-2021 e miratuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, delegati i ndeshjes është përgjegjës që të kontrollojë organizimin e ndeshjes, duke u kujdesur për rendin dhe sigurinë publike dhe nuk ka të drejtë që të përzihet në vendimet e gjyqtarit kryesor të ndeshjes.

“Detyrat konkrete të delegatit janë: – të kontrolloj organizimin e ndeshjes, – delegati ka autorizime të mëdha ndaj përfaqësuesit zyrtar, njëkohësisht edhe shërbimit të rendit për siguri publike, – delegati nuk ka të drejtë të përzihet në vendimet e gjyqtarit” thuhet në nenin 39 të propozicioneve të garave, për Superligë, Ligat e Para, Ligën e Dytë, Superliga B, juniorë dhe kadetë për vitin 2020-2021 e miratuar nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Delegati i ndeshjes, Fatmir Berisha, është liruar në procedurë të rregullt nga Komisioni Disiplinor i Shkallës së Parë.

KALLXO.com ka siguruar deklaratën e zyrtarit të FC Vjosa, Gazmend Zeqa, që e ka dhënë për Komisionin Disiplinor të FFK-së. Zeqa, ka deklaruar se drejtësia është ndarë në mënyrë korrekte nga gjyqtari i ndeshjes Patriot Fazliu, duke akuzuar tifozët e Fushë Kosovës që shfaqën dhunë në stadium.

“Unë, Gazmend Zeqa, deklaroj se referimi dhe treshja e refërve në ndeshjen KF Fushë Kosova – KF Vjosa e zhvilluar me datë 17.04. 2021 deri në minutën e 60 ishte i drejtë, neutral fer dhe korrekt, deri në momentin kur tifozët vendas hynë në fushë dhe shfaqën dhunë në stadium”, thuhet në deklaratën e zyrtarit të Vjosës për Komisionin Disiplinor.

 

Rregullorja Disiplinore e cakton saktë se nëse gjyqtari dhe delegati nuk i paraqesin vërejtjet ose parregullsitë në protokoll dënohen me ndalesë të referimit ose vëzhgimit nga gjashtë muaj deri në një vit.

Kjo gjë i ka ndodhur gjyqtarit të ndeshjes Patriot Fazliu i cili është dënuar për gjashtë muaj nga Komisioni Disiplinor i Ligës së Dytë. Kurse, delegati i kësaj ndeshjeje, Fatmir Berisha, është liruar në procedurë të rregullt.

“Gjyqtarët dhe delegati të cilët nuk i paraqesin respektivisht nuk i shënojnë vërejtjet publike të ndeshjes në protokol, do të dënohen me ndalesë të referimit gjegjësisht vëzhgimit prej 6 muaj, e deri në 1 vit”, thuhet në nenin 39 të Rregullores Disiplinore të Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes KF Fushë Kosova – KF Vjosa, Patriot Fazliu, shkelje esenciale e rregullave të lojës që quan deri te ndërprerje e ndeshjes si dhe për moskryerje të detyrës zyrtare konform obligimeve dhe udhëzimeve të dala nga aktet normative të FFK-së. Bazuar në në nenin 81, paragrafi 1pika A, të rregullores disiplinore: dënohet me gjashtë muaj mos ushtrimin e detyrës së gjyqtarit në të gjitha ndeshjet zyrtare të organizuara nga FFK”, thuhet në vendimin Komisionit Disiplinor të shkallës së parë më 23 prill 2021.

Neni 81 i Rregullores Disiplinore thotë kështu: “Gjyqtarit të cilit i anulohet ndeshja për shkak të cenimit esencial të dispozitave të Rregullave të lojës së futbollit, do të dënohet: a)me ndalesë referimi me kohëzgjatje prej 6 muaj deri në 1 vit, Gjyqtari i cili vlerësohet nga zyrtarët kompetentë, me notë negative (dmth. me notë 1 apo 2), do të dënohet;”.

 

“Delegati i ndeshjes KF Fushë Kosova – KF Vjosa, Fatmir Berisha: Lirohet nga procedura disiplinore”, thuhet në vendimin Komisionit Disiplinor të Shkallës së parë më 23 prill 2021.

 

KALLXO.com, ka siguruar deklaratën e protokollit të dhënë nga gjyqtari i ndeshjes Patriot Fazliu. Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e plotë të Fazliut të transkriptuar:

“Takimi që duhej të niste në orën 15:00 pas hyrjes në fushë për të nisur ndeshjen shihej numër i madh i tifozëve dhe pas bisedave me delegatin e ndeshjes dhe kapitenët urdhërojë që të kthehemi përsëri në dhomat e zhveshjes për të pritur ardhjen e policisë së Kosovës (Njësisë Speciale) për t’i larguar tfizoët nga tribinat. Pas intervinimit të policisë dhe largimit të tifozëve ndeshja nis me 20 minuta vonesë, në orën 15:20. Ku deri në përfundimin e pjesës së parë nuk ka pasur tentim apo hyrje në tribuna nga ana e tifozëve. Ndeshja nis në pjesën e dytë me konsultim me delegatin e ndeshje edhe pa praninë e shikuesve përveç përsonave të autorizuar dhe anëtarëve prezent të FFK-së. Gjithashtu policia e Kosovës prezentë në çdo cep të stadiumit deri te ndërprerja e ndeshjes e cila erdhi në minutën e 6-të pas shënimit të golit nga penalltia nga ekipi i Fushë Kosovës, banka vendase dhe banka mysafire e cila ishte nën tension nga minuta e 22-të e takimit, ku edhe në minutën e 22-të e ndëshkkoj me karton të verdhë trajnerin vendas për shkak të polemikave ndaj bankës mysafire, këto polemika eskaluan nga shënimi i golit nga ekipa vendas, ku ekipa mysafire tenton të nis ndeshjen në shpejtësi (lajthitje e gjyqtarëve) dhe shënon gol të parregullt, mirëpo dy bankat e klubeve kishin nisur fyerjet në drejtim të njëra tjetrës gjatë golit të Fushë Kosovës, ku anësori i parë nga pamundësia të lë lajmëronte në kufnje për shkak të zhurmës dhe konfliktit kishte ngritur flamurin duke sinjalizuar për parregullsi dhe tensione mes dy bankave, kjo gjë nuk ishte vrejtur menjëherë nga ana ime për shkak të presionit të ndeshjes dhe më të vërejtur kam reaguar dhe jam nisur në drejtim të anësorit të parë dhe së bashku jemi tërhequr në mesin e fushës duke përcjellur gjendjen dhe situatën pas eskalimit të saj duke menduar se policia e Kosovës po bëntë detyrën e saj duke mos lejuar futjen e tifozëve në tribuna, por disa, rreth katër apo pesë ishin futur brenda, pas qetësimit të situatës jemi njoftuar nga ekypi mysafir, trajneri Erdin Hashani i cili ka ardhur te ne duke na njoftuar se zyrtari i klubit Vjosa, Gazmend Zeqa tërheqë ekipin së bashku për shkak të pretendimeve se janë sulmuar nga pankina vendase dhe disa tifoz dhe se kjo kishte nisur pas shënimit të golit nga ekipi vendas dhe jo për shkak të ndonjë paknaqësie në ndarjen e drejtësisë apo ndonjë goli të rregullit apo të anuluar siç pretendohet në disa portale. Pretendimet për rinisje të ndeshjes në lajthitje ndaj gjyqtarëve apo shkak i ndërprerjes së ndeshjes të ketë qenë ai gol nuk qëndrojnë pasi që të dy skuadrat Fushë Kosova dhe Vjosa kanë qenë të kënaqur me referimin dhe korrektësinë deri në atë moment ku ndeshja ndërpritet për shkak të sulmeve dhe kacafyetjeve të dyanshme të panevojshme nga dy skuadrat e që rëndohet pas hyrjes së disa tifozëve. Treshja e gjyqtarëve në krye me unë, Patriot Fazliun dhe delegatin e e ndeshjes pas qetësimit të situatës dhe intervenimit të njësisë policore kemi parë se janë bërë kushtet e nevojshme për rinisjen e ndeshje dhe kemi pritur mbi 15 minuta që ekipi mysafir të futet në fushë për rinisjen e ndeshjes, por kjo nuk ndodh pasi përfaqësuesi i ekipit mysafir G.Z pretendon se janë sulmuar dhe nuk kanë siguri të vazhdojnë ndeshjen, andaj e shohim të arsyeshme ta ndërprerjmë takimin. Përmes kësaj deklarate me shkrim unë si gjyqtar i Federatës së Futbollit të Kosovës duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e takimit, mnendoj se kam vepruar sipas rregullave dhe protokolleve që ndjek federata dhe neneve të saja duke mos shkelur e as neglizhuar rregulloren esenciale të rregullave të futbollit”, thuhet në deklaratën e gjyqtarit Patriot Fazliu pas përfundimit të ndeshjes.

 

Komisioni për Ankesa i shkallës së dytë më 24 prill i ka shqyrtuar ankesat e Fushë Kosovës dhe Vjosës, duke e mbështetur vendimin e Komisionit të Garave të Ligës së Dytë.