Distria Krasniqi u rikthehet garave pas të artës olimpike

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi do t’i iu rikthehet garave të premten, për herë të parë pas medaljes së artë olimpike të fituar më 24 korrik të këtij viti në Tokio të Japonisë.

Krasniqi do t’i nisë garat me një ndryshim të kategorisë, ajo do të bëj gara në 52 kilogramë, për dallim nga kategoria 48 kilogramë që u bë kampione olimpike.

Distria Krasniqi është garuesja e vetme nga ekipi i xhudos së Kosovës që të garojë në Grand Slamin e Bakusë, që mbahet nga 5 deri më 7 nëntor në Azerbejxhan.

“Kam ardhur për të garuar në -52 kg. Është kategoria që më përshtatet më së miri”, thotë Krasniqi për uebfaqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Krasniqi në luftën e parë do të përballet me Nanako Tsubone të Japonisë, ndërsa në raundin e dytë e pret hungarezja, Reka Pupp, e cila kishte mundur Majlinda Kelmendin në Olimpiadën e Tokios.