Distria Krasniqi e artë në Mastersin e Kinës (FOTO)

Me një super ippon në shënim të artë, Distria Krasniqi, ka mposhtur mongolezen Narantsetseg Ganbaatar, për të fituar medaljen e artë në Mastersin e xhudos, që po mbahet në Qingdao të Kinës.

Krasniqi fitoi të artën në kategorinë -48 kilogramë, duke shënuar katër fitore. Në Masters marrin pjesë 32 garuesit më të mirë në kategori.

Medalistja e bronztë e botës e mbylli këtë vit me medaljen e artë, si dhe me 1800 pikë të fituara për normën Olimpike Tokio 2020.

Xhudistja Krasniqi kaloi rrethin e parë pa luftë, më pas mposhti Katharina Menz të Gjermanisë, ndërsa në çerekfinale mundi Orgintsetseg Galbadrakh të Kazakistanit. Në gjysmëfinale kaloi pengesën Urantsetseg Munkhbat të Mongolisë.

Sot garoi edhe Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kilogramë, por që kampionia dhe nënkampionia e Evropës u ndal në luftën e parë nga Jisu Kim e Koresë së Jugut.

Nesër garon Akil Gjakova në kategorinë -73 kilogramë.