Stadiumi i Gjilanit, Foto: KALLXO.com

Derbi i ri në stadiumin e vjetër

Sot u  zhvillua derbi lokal mes Gjilanit dhe Dritës, ku në fund triumfuan “skifterat” me rezultat 1:0.

Ky derbi u zhvillua në një stadium, i cili ka nisur të rindërtohet në vitin 2017, mirëpo këto punime ende nuk kanë përfunduar as pas katër viteve.

Këtë stadium e shfrytëzojnë klubi i Gjilanit dhe Dritës kur luajnë si vendas.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtuesit e klubeve të Gjilanit dhe Dritës për të marrë një prononcim lidhur me gjendjen në stadium.

Nga Gjilani thonë se klubi ende nuk ka pranuar ndonjë informacion zyrtar se kur pritet të përfundojnë punimet në stadium.

“Klubi nuk ka pranuar as edhe një informatë zyrtare, ose ndonjë informacion për përfundimin e punimeve. Jemi peng i këtyre vonesave dhe jemi nën mëshirën e fatit se si do të ecin punimet në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e Gjilanit për Kallxo.com.

Nga Gjilani thonë se punimet  e stadiumit duhej të përfundonin që dy vite.

“Ndoshta kjo pyetje më mirë do të ishte të adresohet tek institucionet relevante, të cilat janë përgjegjëse për mos përfundimin e stadiumit sipas kohës së paraparë, e cila tashmë ka kaluar dy vite kur një gjë e tillë është dashur të ndodh”, vazhdon përgjigja e klubit të Gjilanit.

Gjilani thotë se bashkë me Dritën kanë investuar në këtë stadium.

“Ne në vazhdimësi kemi kontribuar për këtë stadium, madje dy klubet e këtij qyteti jemi bërë së bashku dhe kemi investuar në dhomat e zhveshjes dhe zyrat përcjellëse. Kemi pasur afat për t’i liruar dhomat e zhveshjes paraprake dhe zyrat në të cilat ndodheshim për shkak se do të fillojnë punimet intensive, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe vetëm po shikojmë pa ndonjë informacion se çfarë po ndodh”, thonë nga zyra për media e klubit futbollistik të Gjilanit.

Gjilani përgjegjësinë ia hedh nivelit lokal dhe atij qendror.

“Përgjegjësia për mos përfundimin me kohë e këtij stadiumi tejet jetik për tifozët dhe dy klubet është e të gjitha institucioneve, lokale dhe atyre qendrore, ndaj ju bëjmë sërish thirrje që të vënë në agjendën e tyre sa më parë përfundimin e stadiumit”, thonë nga Gjilani.

Për Gjilanin këtë edicion synimet kryesore janë titulli kampion, fitimi i kupës së Kosovës si dhe dalja në Europë.

“Ambiciet e klubit për këtë edicion janë të qarta. Titulli kampion dhe Kupa e Kosovës janë synimet kryesore të klubit për këtë edicion dhe dalja në Evropë të jetë minimumi i këtij objektivi që i kemi vënë pranë vetës”, thuhet në përgjigjen e Gjilanit për KALLXO.com.

Edhe drejtuesit e Dritës thonë për KALLXO.com se nuk kanë informata se kur pritet të përfundojnë punimet e stadiumit.

“Nuk ka asnjë informim zyrtare se kur pritet të përfundojë stadiumi. Para më shumë se një muaji, kur na është kërkuar që ta lirojmë objektin e stadiumit sepse duhet të rrënohet, kemi kërkuar sqarime se kur mund të kthehemi(kur përfundon stadiumi) nëse ne dalim nga objekti, përgjigjja nga disa punonjës ka qene qe varësisht sa do të ketë mjete, aq do te punohet. Askush nuk din ta jep një përgjigje te saktë” thotë drejtori sportiv i klubit të Dritës, Valon Zymberi.

Gjendja e stadiumit nga drejtori sportiv i Dritës është quajtur si punishte.

“Më shumë shpenzojmë energji për të organizuar një ndeshje se për të organizu ekipin. Te luhet një ndeshje në një punishte është edhe rrezik për lojtaret dhe tifozët qe vijnë për ta përcjell një ndeshje” thotë Zymberi.

Sikurse Gjilani edhe Drita ka synime të qarta për këtë edicion.

“Ambiciet e klubit tash e sa vite tani më dihen, kemi bere ekip që të luftojmë për dy trofetë dhe qëllimi kryesor i joni është qw të arrijmë edhe më lart në arenën ndërkombëtare”, thotë Zymberi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komunën e Gjilanit për të marrë një prononcim lidhur më këtë qështje, por që deri në publikimin e këtij lajmi të dy palët nuk ka dhënë përgjigje.

Kohë më parë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati kishte reaguar  lidhur me procesin e ndërtimit të stadiumit të Gjilanit pas shkrimeve nga KALLXO.com, se qeveria nuk kishte ndarë buxhet për vitin 2022 për këtë stadium, por vetëm i kishte bartur 1 milion e 500 mijë euro nga viti i kaluar.

Murati kishte shkruar se nëse punimet bëhen si duhet ai është i gatshëm si Ministër i Financave të ndajë buxhet shtesë për ndërtimin e këtij stadiumi.

Reagon Hekuran Murati, tregon pse Qeveria nuk ndau fonde të reja për stadiumet e Gjilanit e Gjakovës

Qeveria e Kosovës gjatë miratimit të projekt buxhetit për vitin 2022 nuk kishte ndarë fonde për ndërtimin e stadiumit por vetëm i kishte bartur ato nga viti i kaluar.

Gjilanit i takon derbi i qytetit