Dejan Kulusevski prezantohet te Juventusi, premton se do të japë gjithçka nga vetja për klubin

Sulmuesi anësor Dejan Kulusevski gjatë ditës së sotme është prezantuar te skuadra e Juventusit.

20 vjeçari në një konferencë të gjatë për media ka folur për transferimin e tij te bianconerët.

Ai ka thënë se e ka zgjedhur Juventusin që të përmirsohet në fushë dhe jashtë saj.

“Jam shumë i lumtur që më në fund po rikthehemi të luajmë dhe jam gati ta bëj këtë që nga e diela nëse trajneri vendos të më hedhë në fushë. Mezi po pres të luaj. Kam zgjedhur Juven për t’u përmirësuar në fushë dhe jashtë saj, çdo ditë dua të bëhem më i fortë se ç’isha një ditë më parë. Jam këtu për të ndihmuar shokët, të fitoj ndeshjet dhe të bëj të lumtur të gjithë qytetin. Për mua është fat dhe nder të jem këtu dhe nuk dua të fitoj vetëm kampionatin, por çdo ndeshje në stërvitje”, ka thënë Dejan Kulusevski.

Suedezi është pyetur se në cilin rol preferon të luajë, ai ka thënë se do të luajë aty se ku e cakton Andrea Pirlo.

“Roli i preferuar? Pyetje e bukur. Vitet e fundit kam luajtur në shumë role, por jam në rregull kudo që të më vendosë trajneri. Do të varet nga kundërshtari dhe moduli me të cilin do të luajmë, por unë jam mirë në të gjitha rolet, mesfushor, trekuartist, anësor, sulmues i dytë. Nuk ka një rol në të cilin preferoj të luaj”, ka deklaruar ish-futbollisti i Parmës.

Ai ka thënë se në stërvitje te Juventusi duhet me e dhënë 100% në stërvitje.

“Kam mësuar se këtu çdo ditë është një luftë. Zbret në fushë dhe nëse nuk jeni në 100%, nëse nuk je i përqëndruar, e shohin të gjithë. Nuk mund të vish në stërvitje dhe të mendosh për diçka tjetër. Kur je këtu duhet të mendosh vetëm për t’u përmirësuar. Çfarë mendoj se mund t’i ofroj Juves? Energji. Unë e dashuroj futbollin dhe jam me fat që e luaj këtë sport. Dua të argëtohem, të fitoj, në fushë vrapoj shumë dhe bëj gjithçka që të fitojë skuadra ime”, ka treguar ai.

Dejan Kulusevski thotë se Andrea Pirlo e ndihmon shumë në stërvitje dhe do të bëj gjithçka për të.

“Pirlo-n si lojtar e kam parë shumë dhe si trajner më ka bërë të njëjtën përshtypje: është fantastik, i qetë dhe është nder të stërvitem nga ai. Më flet shumë, më ndihmon me të vërtetë shumë, më jep këshilla të vogla të cilat pastaj bëjnë diferencën. Do të bëj gjithçka për të”, ka potencuar 20 vjeçari.

Ish-sulmuesi i Atalantës thotë se është personi më i lumtur në botë pas transferimit te Juventusi.

“Askush nuk ka pritshmëri më shumë sesa unë, kështu që nuk e ndjej presionin. Jam 20 vjeç dhe luaj tek Juventus, për këtë jam djali më i lumtur në botë. Di që vetëm duhet të punoj dhe do të bëj më të mirën. Ronaldo? Është fantastik, flet me të gjithë për argumenta jashtë botës së futbollit. Kur thotë diçka është sikur të ishte benzinë për mua, më ndihmon të jap më të mirën në atë që bëj.”

Kulusevski ka nënshkruar kontratë katër vjeçare me bianconerët që e mbanë atë në “Alianz Stadium”, deri në vitin 2024.