Armend Dallku

Dallku për ndeshjen ndaj Dukagjinit: Të paraqitemi përafërsisht në nivel si me Gjilanin

Prishtina të mërkurën do të përballet me Dukagjinin, prej orës 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo ndeshje do të luhet në kuadër të xhiros së dytë në Superligën e Kosovës, e cila nuk ishte zhvilluar për arsye të ruajtjes së stadiumit “Fadil Vokrri”, për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës.

Para kësaj ndeshje, trajneri i kryeqytetasve, Armend Dallku, është deklaruar për faqen zyrtare të klubit.

Dallku, ka thënë se ndeshja me Dukagjinin do të jetë më ndryshe, krahasuar me atë ndaj Gjilanit, që luajtën në vikend.

“Pas një ndeshje me Gjilanin, për mendimin tim mjaft të mirë brenda fushës nga lojtarët tanë, normalisht duke pasur edhe defektet e veta të lojës, por në fund të fundit është rezultati ai që është i kënaqshëm për neve dhe tash vjen testi tjetër, Dukagjini. Tani është komplet tjetër ndeshje dhe pothuajse tjetër karakter, sepse Gjilani ka qenë në krye të tabelës, ndërsa Dukagjini janë në fund. Kështu që duhet t’i qasemi në mënyrë tjetër kësaj ndeshjeje. Po ashtu po shpresoj që djemtë do të rikuperohen mjaftueshëm deri para ndeshjes, sepse kam thënë edhe pas ndeshjes me Gjilanin, se djemtë e kanë dhënë maksimumin pas një ritmi të lartë të ndeshjes, jo vetëm sipas meje, por edhe sipas analistëve dhe njohësve e dashamirëve të futbollit që e kanë cilësuar si të tillë. Pra, orët që i kemi në dispozicionin para fillimit të takimit, të rikuperohen të gjithë futbollistët dhe të paraqitemi, mos të them qindpërqindtë, por përafërsisht në atë nivel që u paraqitem me Gjilanin”, ka thënë Armend Dallku.

Trajneri nga Vushtrria, ka zbuluar se nesër do t’i mungojnë dy lojtarë Prishtinës, Amet Januzi dhe Ahmet Haliti.

“I kemi dy mungesa të theksuara, Januzi dhe Haliti. Janë mungesa mjaft të rëndësishme duke pasur parasysh se janë dy futbollistë me përvojë dhe që e njohin ekipin tonë mjaft mirë e duke e njohur edhe kampionatin. Mirëpo, e kam thënë edhe pas ndeshjes me Gjilanin, Prishtina nuk identifikohet vetëm me një individ, me një Januzi apo Haliti, sepse Prishtina i ka mbi 24 futbollistë dhe do të gjendet zgjidhja adekuate. Po shpresoj që ndryshimet që do të bëhen në formacion do të japin maksimumin, sepse edhe para ndeshjes iu kam thënë që ata duhet të më vështirësojnë mua punën që mos të fle natën, apo të mendohem mirë se kë të angazhoj në ndeshje. Kështu që besoj edhe ndryshimet që do të bëjë të japin maksimumin ashtu siç e bënë edhe me Gjilanin”, ka thënë kryetrajneri, Dallku.