Cuculi: Kam respekt për Ballkanin, është një ekip cilësor

Qendërmbrojtësi i Dritës, Ardian Cuculi pret ndeshje të vështirë ndaj Ballkanit.

34 vjeçari ka thënë se në këtë ndeshje i duhet angazhim maksimal Dritës nëse e dëshirojnë fitoren.

“Është një ndeshje vërtetë kampionale, është një kundërshtar shumë të fortë, me një ekip që ka treguar cilësi këto dy-tri vitet e fundit, me lojtarë shumë cilësorë, që luajnë bashkë dhe do të jetë një ndeshje që nuk do të varet rrjedha e kampionatit, por gjithsesi do të shërbejë për vazhdimësinë e njërës ekip. Duke luajtur me një ekip të tillë të tre rezultatet janë në lojë, shpresoj që me një angazhim maksimal të të gjithëve do të bëjmë përpjekjet tona për të arritur një rezultat pozitiv, pse jo edhe të fitojmë. Kështu të vazhdojmë operimin tonë drejt kreut të tabelës, gjegjësisht vazhdimësinë e kampionatit”, ka thënë Cuculi.

Cuculi ka thënë se e vlerëson skuadrën e Ballkanit, pasi është një ekip cilësor.

“Loja se si do të jetë nesër do ja lëmë fushën. Por, unë kam respekt për Ballkanin është një ekip cilësor, që luajnë bashkë tani e dy-tre vite. Është ekip që ka bërë volum në kampionat dhe në vitet e fundit ka qenë në kreun e tabelës dhe shpesh herë në vend të parë. Normalisht, ne i respektojmë maksimalisht, por duke e ditur gjithmonë edhe vlerat e ekipit tonë”, ka thënë ai.

Qendermbrojtësi i skuadrës gjilanase ka thënë se skuadrës së Dritës nuk mungon motivimi dhe janë në rrugën e duhur.

“Drita funksionon përfekt, ju e dini që lojtarët që arrijnë në klub e shohin se bëhet fjalë për një familje shumë të madhe, ngrohtësia që vjen nga ana e drejtueseve, udhëheqësve dhe lojtarëve. Ne edhe lojtarët që jemi këtu më gjatë, jemi gjithmonë në mbështete të lojtarëve të rinj dhe vijnë rezultatet e duhura. Mendoj se janë adaptuar të gjithë, por e pamë edhe në ndeshjet e Evropës secili lojtar e dha maksimumin dhe u ndje mirë në këtë fanellë. Nuk është lehtë të luash për Dritën, është një fanellë që rëndon, por gjithsesi çdo lojtarit i kemi krijuar komoditet. Motivimi nuk mungon, tani jemi në një rrugë të cilën e dimë se çfarë duam dhe çka kërkohet nga ne dhe shpresojmë që nga ndeshja në ndeshje të jemi mirë e më mirë”, përfundoi Cuculi.

Drita – Ballkani luhet të mërkurën nga ora 16:00 në Gjilan.

Ardian Nuhiu pret ndeshje të vështirë ndaj Ballkanit