Cristiano Ronaldo tregon se çka e bën atë më së tepërmi të lumtur

Cristiano Ronaldo, ka folur në konferencë për media, para ndeshjes ndaj Lokomotiv Moscowit, në kuadër të grupeve në Ligën e Kampionëve.

Portugezi nuk e ka fituar çmimin e Topit të Artë. Ai ka treguar se atë e bën të lumtur kur shënon gola dhe e fiton ndeshjen.

“Kush e meriton Topin e Artë? Nuk është diçka me rëndësi, kam kaluar një sezon fantastik, e kam filluar mirë këtu dhe aspekti individual nuk ka rëndësi. Çka më bën më së tepërmi të lumtur? Të shënoj gola dhe t’i fitojmë ndeshjet”, ka treguar ylli i Juventusit.
Ronaldo ka thënë se për të mosha është vetëm numër, pasi po e tregon atë me paraqitje në fushë.

“Mosha është vetëm një numër, e tregoj me paraqitjet e mija. Paulo Dybala e Gonzalo Higuaín janë futbollistë të mrekullueshëm, njësoj sikurse Juan Cuadrado e Federico Bernardeschi, të gjithë mund ta bëjnë dallimin. Rekordi im i 700 golave ka kaluar. Është një rekord i mirë por prioriteti im është të fitojë për Juventusin”, ka theksuar Ronaldo.

Sulmuesi portugez ka thënë se i pëlqen se si dëshiron të luaj Juventusi nën udhëheqjen e Maurizio Sarrit.

Ai po ashtu ka treguar se Juventus në këtë sezon dëshiron t’i fitoj të gjithë titujt.

“Sarri? Më pëlqen mënyra si dëshiron të luajë skuadra, kemi më shumë besim. Tani po krijojmë më tepër raste për shënim dhe kemi më tepër posedim të topit. Dëshirojmë të fitojmë në Serie A, UEFA Champions League dhe Kupat. Besoj se Juventus duhet të ketë synime të mëdha, një klub i tillë duhet të kërkojë shumë. Skuadra është përmirësuar, luajmë futboll më sulmues. Por, kemi ende hapësirë për t’u përmirësuar”, ka thënë Ronaldo.