Conte tha Ranochia flasin për ndeshjen ndaj Ludogoretsit

Inter të enjten do të luaj ndaj skuadrës bullgare Ludogorets, në kuadër të 1/16 së finales në Ligën e Europës.

Ndeshja e parë do të luhet në Bullgari,  për këtë takim kanë folur trajneri Antonio Conte dhe mbrojtësi italian Andrea Ranochia.

Conte ka thënë se ndaj skuadrës bullgare, Interi duhet t’i qaset ndeshjes me mentalitetin e duhur dhe përkushtim.

“Ne po flasim për një klub që është mësuar të garojë në kupat evropiane. Klub që kryeson në Bullgari me një epërsi të thellë, kështu që duhet t’i qasemi ndeshjes me mentalitetin e duhur dhe me përkushtim. Ludogoretsi është në formë të mirë dhe ka fituar ndeshjen e fundit 6:0. Kështu që duhet të jemi të gatshëm”, ka thënë trajneri italian në konferencë për media.

Andrea  Ranochia pret që nesër ta fillojnë mirë fazën e eliminimit direkt në Ligën e Europës.

“Të veshësh fanellën e Interit do të thotë që gjithmonë duhet të japësh maksimumin. Nëse duam të shkojmë përpara në këtë kompeticion? Ne e fillojmë udhëtimin tonë nesër, shpresojmë të fillojmë mirë”, ka thënë Ranochia.

Për këtë ndeshje nuk kanë udhëtuar me ekipin në Bullgari, Milan Skrinar dhe Marcelo Brozovic.

Ludogorets – Inter, luhet të enjten prej orës 18:55.