Conte: Eriksen është një goditje e madhe për Interin

Christian Eriksen, ka qenë transferi kryesor i Interit, për merkaton dimërore.

Mesfushori i Danimarkës, i ka kushtuar skuadrës italiane 20 milionë euro, të cilin e transferuan nga Tottenhami.

Për Eriksenin ka folur trajneri i kësaj skuadre Antonio Conte, duke e cilësuar si transfer të qëlluar për Interin.

“Eriksen është një goditje e madhe për këtë klub, pasi ai kishte shumë mundësi zgjedhjeje dhe në fund vendosi të vinte tek Interi. Kjo tregon se Interi është parë me syrin e duhur dhe të gjithë po punojnë që ky brand ta ruajë shkëlqimin”, ka thënë Conte për Eriksenin.

Conte ka thënë se Eriksen e ka kuptuar se çfarë dëshirojnë prej tij.

“Ai nuk ka luajtur shumë kohët e fundit me Tottenham, por është në një formë të mirë fizike dhe po fillon të kuptojë idetë tona se si luajmë futboll. Kemi folur shumë me të dhe ai e di çfarë duam prej tij. Fatmirësisht është një nga ata që mëson shpejt. Jam i kënaqur që tre lojtarë vendosën të lënë kampionatin anglez dhe të vijnë tek Interi”, ka treguar Conte.