Cilat janë gjasat e Kosovës ndaj Luksemburgut e Sllovakisë? Flasin ekspertët

Federata e Basketbollit e Kosovës është nikoqire e Dritares së Tretë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2023.

Ndeshjet e Grupit B, ndodhet Kosova së bashku me Sllovakinë, Luksemburgun dhe Islandën. Nga ky grup do të kualifikohen dy vendet e para.

Islanda është në vendin e parë me tri fitore dhe një humbje, Kosova dhe Sllovakia nga dy fitore dhe dy humbje, kurse Luksemburgu një fitore dhe tri humbje.

Kosova do të përballet me Luksemburgun më 18 shkurt, kurse me Sllovakinë më 20 shkurt. Dardanët duhet të fitojnë me patjetër në këto dy ndeshje për t’u kualifikuar në fazën e kualifikimeve për Botërorin 2023.

Trajnerë dhe analist të basketbollit, Artan Mehmeti, Ismet Ferati dhe Fidan Shatri, kanë dhënë mendimet për KALLXO.com, se si duhet të luajë Kosova në këto ndeshje dhe sa janë gjasat për kualifikim.

Ish-basketbollisti dhe analisti Mehmeti është i bindur që ndeshjet ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisë do t’i fitojë Kosova, pasi janë kthyer kapiteni Dardan Berisha, Samir Zekiqi dhe Divine Myles.

“Mendoj që në krahasim me dy ndeshjet parprake që i kemi humbur, tani situata është krejt tjetër. Të dy ndeshjet t’i fitojmë. Luksemburgun do ta mposhtim më 18 shkurt, kurse të njëjtën gjë e pres edhe ndaj Sllovakisë”, ka thënë Mehmeti për KALLXO.com.

Mehmeti thotë se trajneri Marmarinos me stafin e tij, e kanë përgatitur këtë ndeshje deri në detaje dhe mbetet që basketbollistët e Kosovës t’i realizojnë në lojë.

“Ka një kohë që tani ekipi ynë është grumbulluar, ata janë dukë qëndruar së bashku, janë duke u stërvitur së bashku. Trajneri dhe shtabi tenik i kanë kryer të gjitha parapërgatitjet duke filluar nga tatktizimi deri te analizat e video-inçizimeve të lojtarëve të kundërshtarëve tanë. Tash vetëm se duhet të gjitha këto t’i konktretizojmë në fushë dhe t’i fitojmë ndeshjet”, ka vlerësuar ish-basketbollisti mitrovicas.

Ai ka folur edhe për mungesën e tifozëve duke thënë se është mëkat i madh që ndeshja do të luhet pa tifoz. Mehmeti ka edhe një këshillë për lojtarët e Kosovës si ish-lojtar i kësaj kombëtare.

“Mëkat i madh që luajmë pa tifoz, por mendoj që lojtarët tanë e kanë më lehtë sepse luajnë në palestrën tonë dhe parketin të cilin e njohin shumë mirë. Unë si një ish-reprezentues i Kosovës iu them se të gjithë ne jemi me ju, bësojmë në ju, prandaj forca, qëndroni së bashku, ndihmoni njëri-tjetrin gjatë lojës dhe gëzonani me një kualifikim të mëtutjeshëm”, thotë Mehmeti me një mesazh inkurajues për djelmoshat e Kosovës.

Artan Mehmeti ish-basketbollist i Kombëtares së Kosovës

Trajneri i Kombëtares së Kosovës te vajzat, Fidan Shatri, thotë se lojtarët e Kosovës për këto dy ndeshje janë më të përgatitur fizikisht dhe kjo është përparsi për ta.

“Janë ndeshje shumë të vështira pasi bëhet fjalë për kualifikim tutje. Mendoj që në krahasim me muajin nëntor tani është një situatë ndryshe, pasi që lojtarët tani kanë zhvilluar me shumë ndeshje në ligën vendore të cilat i kanë ndihmuar në ngritjen e përgatitjes së përgjithshme fizike”, thotë fillimisht Shatri për KALLXO.com.

Ai potencon se është e rendësishme që Kosova ndeshjen e parë do ta luajë ndaj Luksemburgut, pasi e konsideron kundërshtar më të lehtë se Sllovakinë.

“Është e rëndësishme që ndeshja e parë luhet me Luksemburgun, pasi është kundërshtar më i lehtë, janë ballafaquar edhe më herët me këtë reprezantacion dhe mendoj që do të kalohet dhe do të dalim fitues në ndeshjen e parë në mënyrë që në ndeshjen e dytë të jenë shumë të motivuar e cila është më e vështirë, pasi Sllovkia ka një ekip më të fortë dhe një trajner si Zan Tabak që ka përvojë të madhe si basketbollist profesionist dhe si trajner”, ka vlerësuar Shatri.

Trajneri i KBF Prishtinës, thur elozhe për trajnerin grek të Kosovës, Christos Marmarinos, duke thënë se është duke bërë mirë te Kosova.

“Kemi një trajner shumë të mirë, mendoj që është duke e bërë më të mirën, jo vetëm për këto ndeshje, por edhe në ndeshjet e mëhershme. Marmarinos me stafin e tij jo vetëm që i ka bindë lojtarët, por besoj që do t’i kaloj këto dy ndeshje me rezultat pozitiv, pasi ka instaluar mentalitet fituesin në grupin që kemi”, ka potencuar ai.

Fidan Shatri, trajner i Kosovës dhe Prishtinës në basketboll në kategorinë e vajzave. Foto/Atdhe Mulla/Kallxo.com

Ish-basketbollisti dhe analisti i basketbollit Ismet Ferati pret ndeshje të vështira për Kosovën ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisë.

“Nuk do të jenë ndeshje aspak të lehta, sidomos ajo ndaj Sllovakisë, mirëpo as ndeshja ndaj Luksemburgut nuk do të jetë e lehtë, sepse Luksemburgu ka një sistem të lojës shumë të papërshtatshëm me shumë vrapime dhe qarkullime të topit. Sllovakia ka kualitet dhe vetëm një angazhim maksimal mund të shpresojmë në fitore”, thotë Ismet Ferati për KALLXO.com, i cili shton se vetëm me angazhim maksimal Kosova mund t’i rrëmbej dy fitore.

Ferati thotë se lojtarët duhet të jenë të vetëdishëm se çfarë peshe kanë këto dy ndeshje dhe duhet ta japin maksimumin e tyre.

“Lojtarët duhet të jenë të vetëdijshem se çfarë kanë lojë dhe pavarësisht trajnerit duhet të japin edhe më tepër se 100 për qind. Bëhet fjalë për lojtar që kanë përvoje dhe mendoj që lojtarët do t’i zbatojnë me përpikmëri urdhërat e trajnerit Marmarinos”, ka vlerësuar Ferati.

Ismet Ferati- Analist i basketbollit