Challandes thotë se nuk e kupton pse nuk e liroi Napoli Amir Rrahmanin të luajë për Kosovën

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, në konferencë për media para ndeshjes ndaj Maqedonisë së Veriut, ka folur edhe për situatën e krijuar për Amir Rrahmanin.

Napoli nuk e ka lejuar Amir Rrahmanin që t’i bashkohet Kosovës, pasi dy lojtarë të klubit Italian kanë rezultuar pozitiv në testet e coronavirusit.

Challandes ka thënë se nuk ka arritur ta kuptojë se përse nuk është lejuar Amir Rrahmani që t’i bashkohet Kosovës.

“Mund ta shpjegoj, por jo edhe ta kuptoj pse ka ndodhur. Janë vështirësuar gjërat me këtë coronavirus. Jemi munduar të gjithë për ta pasur Amirin, por nuk na është mundësuar. Është e pakuptueshme pse për neve nuk ka ndodhur, derisa në anën tjetër nga i njëjti shtet lirohet një lojtar për Maqedoninë e Veriut. Por, tani nuk është koha për të gjetur arsyetime por për të bërë maksimumin me lojtarët që i kemi në grumbullim”, ka thënë Challandes.

Maqedoni e Veriut – Kosovë, luhet në kuadër të gjysmëfinales së play-off-it të Ligës D, në Ligën e Kombeve.

Fituesi i kësaj ndeshje do të takohet në finale me fituesin e ndeshjes Gjeorgji – Bjellorusi.

Challandes: Jemi gati për ta realizuar ëndrrën