Bernard Challandes

Challandes thotë se nuk do të japë dorëheqje nëse nuk e kualifikon Kosovën në Kampionatin Europian

Kosova ka dështuar të fitojë ndaj Moldavisë, duke barazuar me rezultat 1-1, ndeshje e cila u luajt në kuadër të Ligës C, Grupi 3.

Në konferencë për media pas ndeshjes, Kallxo.com, ka pyetur trajnerin Challandes se a do të japë dorëheqje nëse dështon të  kualifikohet në Kampionat Europian, ai ka thën se nuk do ta bëj këtë gjë.

“Absolutisht që jo, sepse nuk varet gjithçka nga kualifikimi, por ne jemi duke tentuar që të bëjmë progres, mos të harrojmë që ne jemi Kosova dhe nuk mund të kërkojmë menjëherë kualifikimin dhe duhet ta keni parasysh që ne jemi duke përparuar. Nuk është çështja te kontrata e re e nënshkruar, por te puna që po bëhet me ekipin te besimi që e kam në këtë ekip dhe nëse flasim për ndeshjen e sotme, para se të themi se ishte një lojë e dobët duhet të themi se është një rezultat i keq është një rezultat i dobët për neve, por duhet ta keni parasysh që e kam parashikuar një gjë të tillë, në takimin që e kam pasur me futbollistët ua kam thënë pikërisht gjërat që edhe dolën që duhet të kemi shumë më shumë kujdes. Prandaj për mua është shumë me rëndësi që ta vazhdojë punën me këtë ekip të vazhdojë progresin me këtë ekip”, ka deklaruar trajneri zvicerian.

Challandes ka insistuar se Kosovës i duhet një trajner edhe nëse dështon Kosova të kualifikohet në Euro 2021.

“Duhet ta keni parasysh që në kontratën time nuk shkruhet që ne patjetër duhet të kualifikohemi, kam kontratë me federatën për ta vazhduar punën, për të vazhduar progresin me këtë skuadër dhe për të tentuar që të punojmë sa më mirë dhe sa më qëndrueshëm që është e mundur për të kaluar në një nivel më të lartë për skuadrën, por po ashtu duhet ta kemi parasysh që edhe nëse kualifikohemi edhe nëse nuk kualifikohemi, unë do të vazhdojë të jem pjesë e Kombëtares së Kosovës, sepse Kosova ka nevojë për një trajner. Futbolli nuk përfundon me këtë fazë të kualifikimeve. Aktualisht për ne kualifikimi është një ëndërr që shpresoj dhe besoj që do ta arrijmë duke dhënë gjithçka që është e mundshme për një ëndërr të tillë. Por edhe nëse nuk do të arrihet kualifikimi futbolli do të vazhdojë si për Kosovën si për kombëtaret tjera që nuk do të kualifikohen në Kampionat Europian edhe Kosova do të ketë prapë nevojë për një trajner”, ka potencuar ai.