Challandes thotë se ndeshja ndaj Maqedonisë së Veriut do të jetë më e vështira për të si trajner

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, sot ka folur në konferencë për media, për ndeshjen Maqedoni e Veriut – Kosovë, që luhet më 8 tetor.

Trajneri zvicerian thotë se ndeshja naj Maqedonisë do të jetë ma e vështira për të në karrierën e tij si trajner.

“U bë kohë që jam këtu dhe e njoh këtë vend. Kam informacione. Do të jetë ndeshje më shumë sesa futboll. Është e qartë se për mua do të jetë puna më e vështirë si trajner. Disa prej lojtarëve tanë kanë ndërruar klube dhe mendja e tyre mund të jetë duke fluturuar. Në fund mund të mos fitojmë, por nuk duhet të jemi të zhgënjyer pasi kemi dhënë gjithçka nga vetja”, ka deklaruar Challandes në konferencë për media.

69 vjeçari thotë se maqedonët kanë ekip të mirë dhe kanë sistem të lojës sikurse Kosova.

“Maqedonia ka ekip të mirë. I kam parë edhe dy ndeshjet e fundit, sidomos ndaj Gjeorgjisë. I kemi përgatitur disa video për t’i shikuar. Maqedonia luan si Kosova kur luan mirë dhe e mban topin. Kërkojnë të kenë posedimin e topit. Sistemi i lojës së tyre është sikurse i Kosovë. Kanë lojtarë të mirë individualisht”, ka shtuar Challandes.

Maqedoni e Veriut – Kosovë, luhet më 8 tetor, në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve në Grupin D.