Challandes: Qëllimi im është të vazhdoj me Kosovën 

Bernard Challandes u prezantua si trajner i Kosovës me 2 mars të vitit 2018, nga legjenda Fadil Vokrri.

Prej se e ka marë drejtimin e Kosovës, Bernard Challandes, ka sjellë entuziazëm dhe suksese me “dardanët”.

Ditëve të fundit është spekuluar se zviceriani mund të largohet nga Kombëtarja e Kosovës.

Por, vet 68 vjeçari e ka demantuar një gjë të tillë, duke thënë se dëshiron të qëndroj te Kosova.

Sa i përket spekulimeve rreth vazhdimit të kontratës sime me FFK-në dua të bëj të qartë se qëllimi im është për ta vazhduar bashkëpunimin me FFK-në, siç jam i sigurt se ky është edhe qëllimi i drejtuesve të FFK-së. Problemi i vetëm aktualisht është situata me Coronavirusin. Sapo të kalojë kjo periudhë jam i sigurt se do ta gjejmë zgjidhjen për vazhdimin e kontratës”, ka theksuar Challandes, njofton FFK-ja.

Ai tutje ka treguar se është në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Futbollit të Kosovës. “Po, qëndroj vazhdimisht në kontakt me presidentin Agim Ademi dhe me pjesën tjetër të stafit. Ne i kemi idetë e njëjta për të vazhduar zhvillimin e ekipit kombëtar dhe ky fakt më bën optimist se ne do ta vazhdojmë pa problem bashkëpunimin tonë. Jam i lumtur me ekipin dhe me projektin në të cilin jemi duke punuar, por edhe me pjesën tjetër të organizimit dhe menaxhimit të Kombëtares”, ka shtuar trajneri zviceran.

68 vjeçari ka theksuar se problemi i vetëm aktualisht është situata me pandeminë dhe për këtë gjë ka thënë se ka folur edhe në një intervistë për mediat zvicerane.

“Po e përsërisë atë që e kam thënë edhe në një intervistë në Zvicër, që aktualisht ka prioritete tjera për shkak të Coronavirusit, kurse kur kjo situatë e pazakontë të përfundojë atëherë ne do të jemi edhe më shumë të fokusuar për ta përgatitur ekipin për dy ndeshjet e radhës që janë tejet të rëndësishme për ekipin kombëtar por edhe për Kosovën si shtet”, ka nënvizuar Challandes.

Kosova në shtator pritet të luajë ndeshjen gjysmëfinale të “play-off”-it për Evropian kundër Maqedonisë së Veriut, e cila është shtyrë dy herë si pasojë e Coronavirusit, derisa në rast fitoreje do të luajë në finale me fituesin e ndeshjes Gjerogji-Bjellorusi.