Challandes: Nuk jam i kënaqur me rezultatin, nuk shkoi ashtu siç duhej

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes nuk është ndarë i kënaqur me barazimin 1-1, ndaj Moldavisë, ndeshje e cila u luajt në kuadër të Ligës C, në Grupin 3.

“Është e qartë se nuk jam i kënaqur me rezultatin. Nuk shkoi ashtu siç duhej dhe nuk ishte ideja dhe filozofia jonë e lojës. Provuam që të luajmë nga mesi i fushës sepse nuk patëm suksese nga krahët, e krosimet nuk ishin mjaftueshëm të mira. Për mua nuk ka panik jemi vetëm në fillim të garave, do të bëjmë analizë për lojën pavarësisht rezultatit”, ka thënë Challandes në konferencë për media.

Trajneri zvicerian i pyetur nga KALLXO.com, se përse nuk bëri zëvendësime më herët, deklaroi se nuk bëri zëvendësime herët, pasi i kishte vetëm tri të tilla në dispozicion.

“Kemi të drejtën vetëm e tre ndryshimeve, prandaj nuk është e lehtë të bëjmë ndryshime herët. Kemi lojtarë që kanë pak kohë të përgatitjeve dhe nuk mund ta dimë se si do të reagojnë”, ka thënë ai.