Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Challandes: Nuk frikësohem nga shkarkimi

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë në konferencë për media se është i kënaqur me ekipin e tij dhe nuk ka frikë nga shkarkimi.

Ai ka thënë se çdo ditë e ka mbijetesë sa të jetë trajner i Kosovës.

“Unë jam i kënaqur me këtë ekip dhe kurrë nuk frikësohem nga shkarkimi, nëse Federata e sheh të arsyeshme, atëherë në rregull por nëse e sheh të arsyeshme për të vazhduar bashkëpunimin, nuk ka problem. Prej ditës së parë kur kam firmosur kontratën e kam pasur të qartë se çdo ditë është mbijetesë. Unë kam mbijetuar ditë pas dite, ndeshje pas ndeshjeje”, ka thënë ai.

70-vjeçari ka bërë të qartë se është i kënaqur me ekipin e Kosovës, përndryshe nuk do të kishte qëndruar në krye të “Dardanëve”.

“Si trajner duhet të jetosh me situatën. Mbijetesa i karakterizon trajnerët. Por, duhet ta keni parasysh se jam këtu për më shumë se tri vite dhe po të mos më pëlqente ekipi dhe mos të isha i kënaqur, nuk do të kisha qëndruar kaq gjatë”, ka thënë zvicerani.

 

Vedat Muriqi: Ndaj Gjeorgjisë dalim për fitore