Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Challandes: Kosova bëri një lojë të madhe
Kosova ka humbur me rezultat 0-2, nga Spanja, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka deklaruar se djelmoshat e udhëhequr nga ai sot kanë bërë ndeshje të madhe ndaj Spanjës.
“Më duhet t’i them urime ekipit që luajti një lojë të madhe. Taktikisht ishim shumë të mirë, luajtëm mirë në mbrojtje dhe në përgjithësi. Ekipi tentoi të shënonte, luajti me kurajo por për fat të keq nuk shfrytëzuam rastet e mira që i patëm. Mendoj që jemi në rrugë të mirë pas paraqitjes së mirë ndaj Spanjës. Ekipi ka bërë një punë shumë të mirë dhe duhet të jemi krenar me këtë ekip”, është shprehur Challandes.
70 vjeçari tregoi se e kishin planifikuar që ndaj Spanjës të luajnë me kundërsulme dhe se nuk kishin frikë sot ndaj spanjollëve.
“Ne e kishim në skenar të mbrohemi kundër Spanjës dhe pastaj nëpërmjet kundërsulmeve të shënojmë. Patëm kundërsulme të mira, dhe jo shumë skuadra arrijnë të krijojnë tri apo katër raste kundër Spanjës. Aspak nuk u frikësuam dhe patëm paraqitje shumë të mirë ndaj një kundërshtari të fortë si Spanja”, ka deklaruar Bernard Challandes.
Ai ka dhënë vlerësime për punën e tij duke thënë se është i kënaqur me punën që është duke e bërë te Kosova.
“Duhet të jemi të kënaqur dhe ta përgëzojmë ekipin për atë që tregoi. Jam i lumtur me ekipin dhe kam kënaqësinë që punoj me këtë ekip. Mendoj se jemi duke e bërë një punë të mirë së bashku. Jam këtu për ta bërë punën time dhe ndihem krenar”, ke deklaruar trajneri zvicerian.