Challandes: Kemi përballë ekipin më të mirë në botë
Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, ka folur në konferencë për media një ditë para ndeshjes ndaj Spanjës, që luhet në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.
Zvicerani ka thënë se nuk ishte e lehtë të vinin në këtë ndeshje pas humbjes nga Suedia.
“Pas humbjes nga Suedia nuk është e lehtë të vijmë këtu në Spanjë dhe të përgatitemi për këtë ndeshje. Por, është nder dhe kënaqësi të luajmë kundër ekipit më të mirë në botë. Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë dhe jemi të gatshëm”, tha Challandes.
69 vjeçari thotë se është një mundësi e mirë e tyre që të tregojnë progres ndaj Spanjës.
“Unë menaxhoj një ekip të mirë, ekip më lojtarë shumë të motivuar. Jemi shtet i ri i futbollit dhe duhet të përparojmë, duhet të marrim çdo ndeshje një nga një. Në veçanti ndeshja kundër Spanjës është mundësi për ta treguar progresin e ekipit që është bërë në mënyrë konstante dhe gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ai. “Mbase nuk më takon muaj për vendimet dhe ndryshimet që i bën Luis Enrique sepse është shumë i famshëm për punën e tij. E di që ndoshta njerëzit nuk mund të jenë të kënaqur me rezultatet e fundit të Spanjës, por nëse shikoni ndeshjet mund ta kuptoni sa mirë ka luajtur Spanja. Problemi im aktual nuk është se çfarë duhet të ndryshoj ekipi por çfarë na duhet ne për tu përballur me një ekip të fortë si Spanja”, ka shtuar Challandes.
Kosova do ta luajë ndeshjen e dytë të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022” ndaj Spanjës në “Estadio de La Cartuja” në Sevillë.