Challandes: Jam i zhgënjyer nga humbja ndaj Greqisë

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka folur në konferencë për media, pas humbjes ndaj Greqisë me rezultat 2-1.

Trajneri zvicerian ka thënë se është i zhgënjyer pas humbjes nga Greqia, pasi lojtarët e tyre nuk bën lojë të mirë.

“Mund ta them haptazi që jam i zhgënjyer, sepse gjatë tërë lojës kemi bërë gabime, kemi pranuar dy gola të panevojshëm, të cilët kanë ardhur nga gabimet që kemi bërë ne, gjatë tërë kohës kemi pasur problem ta kontrollojmë topin, kemi bërë gabime të panevojshme e gjithë kjo ka sjellë këtë rezultat”, ka thënë Challandes.

Challandes ka thënë se te humbja ka ndikuar mungesat e mëdha të lojtarëve të cilat nuk kanë mundur të luajnë për Kosovën, për shkak të problemeve të krijuara nga pandemia COVID-19.

“Duhet ta themi jo për tu arsyetuar humbjen, edhe për problemet që i kemi pasur gjatë kësaj periudhe me mungesën e shumë lojtarëve, ndërsa Greqia ka luajtur me lojtarët e mirë. Shpresoj që në tetor të mos përballemi me probleme të tilla, në grumbullimin e lojtarëve në muajin tetor nuk do t’i kemi. Më duhet ta them kemi zhvilluar një ndeshje kundër Moldavisë, morëm një barazim, kemi pasur gjasa më shumë në atë përballje, megjithatë nuk ishte e mundshme një gjë e tillë, e keni parë edhe sonte se sa vështirë e kishte Sllovenia kundër tyre. Sonte e keni parë se çfarë lojtarë të mirë që ka pasur Greqia, kurse ne kemi pasur mungesa të mëdha të lojtarëve të cilët nuk kanë mundur të jenë prezent për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia”, ka deklaruar 69 vjeçari.

Trajneri i “Dardanëve”, e ka komentuar edhe gjestin e bërë të Bernard Berishës pas golit të shënuar duke thënë se nuk ishte sjellja e duhur nga sulmuesi kosovar.

“Qartësisht që nuk ishte sjellja e duhur më e mirë e mundshme, unë si trajner nuk mund ta përballoj një sjellje të tillë, kemi biseduar menjehërë pas ndeshjes ia kam bërë të qartë se nuk mund të toleroj sjellje të tilla ndaj meje ndaj ekipit dhe stafit të ekipit.  Puna e trajnerit nuk ështe e lehtë, ndonjëherë nuk mund të jenë përfekte, megjithatë zgjedhjet e mija deri tani nuk kanë qenë të gabuara, ne kemi një lojtarë në atë pozitë që është Zeneli dhe Bernardi duhet ta pranoj rolin e tij. Ai dhe të tjerët duhet t’i pranojnë zgjedhjet e trajnerit”, ka potencuar Challandes.