Challandes i kënaqur me sulmin, por jo me lojtarët e mbrojtjes

Kosova ka shënuar fitore të lehtë me rezultat 4-0, në miqësoren ndaj Lituanisë, ndeshje që u luajtë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se kanë bërë një lojë impresive.

Zvicerani është ndarë i kënaqur me lojën e sulmesve të tij, por jo edhe me mbrojtësit.

“Mendoj se ishte e rëndësishme që të startonim vitin në këtë mënyrë. Me fitore të thellë që është e mirëseardhur. Patëm një lojë impresive, sidomos në sulm ku arritëm të shënojmë pesë gola. Megjithatë, nuk jam i kënaqur me repartin e mbrojtjes pasi i kemi dhënë shumë mundësi kundërshtarit për të shënuar. Në pjesën e parë, kemi prodhuar shumë aksione të mira por na duhet efikasitet më i madh. Mendoj se është dashur të shënojmë më shumë gola sepse kur përballë ke një kundërshtar më të fortë, atëherë duhet të shfrytëzosh të gjitha rastet. Përfundimisht, kështu nuk guxojmë të luajmë kundër Suedisë. Duhet të bëjmë më shumë, sidomos në mbrojtje. Kemi humbur disa topa pa nevojë dhe kjo nuk guxon assesi të ndodhë me Suedinë”, ka thënë Challandes.

Ai e ka vlerësuar si një paraqitje pozitive ndeshjen e sotme.

“Në përgjithësi, ka pasur gjëra shumë të mirë dhe mund të them se ishte një ndeshje dhe paraqitje pozitive. Duhet të vazhdojmë tutje, ta ndërtojmë lojën tonë”, ka thënë ai.

69 vjeçari ka thurur elozhe për Arbër Zenelin, që i shënoi dy gola në ndeshjen e sotme duke bërë parqitje fantastike.

“Është mirë që kemi një lojtar si Arbër Zeneli, me vetëbesim të madh. Por, nuk duhet të harrojmë se Zeneli ka pasur një lëndim shumë serioz, kështu që paraqitja e tij me Lituaninë ishte e mirë. Kjo është e rëndësishme për të ardhmen, si për ekipin ashtu edhe për Arbërin. Vojvoda na duhet në atë pozitë të qendërmbrojtësit pasi ka luajtur të Standardi. Kjo ishte një ndeshje miqësore dhe është dashur t’ia jap mundësinë. Kështu që, besoj se do të mund të luaj në këtë pozitë”, tha Challandes.