Challandes: Duhet ta mposhtim Malin e Zi për ta vazhduar ëndrrën për kualifikim

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur sot në konferencë me media para fillimit të grumbullimit të “Dardanëve” për dy ndeshjet e këtij muaji, kundër Gjibraltarit në miqësoren e 10 tetorit dhe kundër Malit të Zi në ndeshjen kualifikuese për Euro 2020, më 14 tetor. Të dyja këto ndeshje Kosova do t’i luajë para tifozëve të vet.

Challandes theksoi se ndeshja kundër malazezëve do të jetë shumë e rëndësishme dhe sipas tij duhet pasur kujdes të jashtëzakonshëm, ngase Mali i Zi është një rival shumë i fortë.

“Po e fillojmë një javë që është shumë e rëndësishme për ne. Ndeshja me Gjibraltarin është një mundësi për t’i qartësuar disa gjëra në kokën time dhe njëherësh do të jetë rast i mirë që t’u japim hapësirë për lojë futbollistëve që kanë luajtur më pak. Ndërkaq, sa i përket ndeshjes me Malin e Zi ajo është shumë e rëndësishme. Jua shpjegoj pse, sepse Mali i Zi është shumë ekip i mirë. Duhet të fitojmë ndaj tyre për ta vazhduar ëndrrën për kualifikim. Nëse nuk mbrohemi së bashku, madje edhe në (miqësoren) me Gjibraltarin, atëherë nuk kemi shanse”, tha Challandes.