
Çeku për mos-licencimin e FFK: Nuk ka rrezik të përjashtimit nga UEFA dhe FIFA
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se nuk ka rrezik që Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të përjashtohet nga UEFA dhe FIFA, për shkak të vonesave në licencim në Ministri.
Në një konferencë për media para gazetarëve, Çeku ka thënë se licencimi i FFK-së është në fazën përfundimtare.
Ai ka thënë se si Ministri kanë kërkuar sqarime nga FIFA dhe UEFA, për kriteret ndërkombëtare të licencimit.
“Kemi kërkuar sqarime nga këto asociacione sa i përket kritereve ndërkombëtare për licencim, sapo t’i marrim sqarimet, do të kemi më të lehtë” – tha para gazetarëve, ministri Çeku.
Ai ka ftuar FFK-në dhe klubet që të dorëzojnë aplikacionet.
“FFK ende ka punë dhe e ftojmë që së bashku me klubet t’i dorëzojnë sa më shpejtë aplikacionet” – tha ministri Çeku.
Nëpër media në Kosovë ishte raportuar se FFK-ja rrezikon mos-licencimin në Ministri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për shkak të disa kritereve, e si rrjedhojë e mos-licencimit klubet e futbollit nuk do të mund të përfitonin nga Ligji i Sponsorizimit në Sport.