Kombëtarja e Kosovës - Foto: Atdhe MULLA

Caktohet dita e ndeshjes Maqedoni e Veriut – Kosovë në futboll

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se ndeshja gjysëmfinale e ‘play-off’ të Ligës së Kombeve për kualifikim në EURO 2020, ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të luhet me 4 qershor në Shkup, me praninë e tifozëve.

Vendimin ua ka dërguar të dyja federatave UEFA, gjatë ditës së sotme.

“Kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohej më 26 mars, mirëpo si pasojë e përhapjes së koronavirusit Covid-19 në shumicën e vendeve të Evropës, UEFA vendosi t’i pezullojë të gjitha aktivitetet e muajit mars dhe prill dhe njëherësh edhe ta shtyjë Kampionatin Evropian për një vit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ndeshja finale e kësaj faze do të zhvillohet me 9 qershor, ku fituesi i kësaj ndeshje do të ballafaqohet me fituesin e gjysëmfinales tjetër ndërmjet Gjeorgjisë  dhe Bjellorusisë.

Finalja do të zhvillohet në njërën prej fituesve të gjysëmfinales së dytë, ndërsa fituesi e siguron kualifikimin në ‘EURO 2020’, i cili tashmë është shtyrë për vitin 2021.