Bonucci: Sarri është shumë inteligjent

Qendërmbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonucci, ka folur për media para ndeshjes ndaj Lyonit, që e zhvillojnë të mërkurën në kuadër të ndeshjes së parë në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.

Italiani ka thënë se bianconerët janë favorit ndaj francezëve, por sipas tij ndeshjet fitohen në fushë.

“Është e vërtetë që ne jemi favorit, por ndeshjet fitohen në fushë. Do të ishte e përshtatshme për ne të shënonim në Lyon para ndeshjes së kthimit, por do të duhet të përgatitemi për ndeshjen me qartësi. Lyon ka shumë tifozë dhe shumë lojtarë të rinj që do të përpiqen të tregojnë vlerën e tyre. Garcia ishte trajner në Itali, ai e di se si t’i afrohet lojërave të caktuara, Liga e Kampionëve është e veçantë; mentaliteti ka shumë rëndësi. Ne duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Bonucci.

Ish-mbrojtësi i Milanit, ka thënë se konkurrenca nga Lazio e Inter, i ndihmon atyre për garën në Ligën e Kampionëve.

Ai i ka thurur elozhe trajnerit Maurizio Sarri, duke e cilësuar si inteligjent.

“Konkurrenca nga Lazio dhe Interi në Ligë do të na ndihmojë të mos heqim dorë edhe në Champions. Sarri është shumë inteligjent, si person dhe në aspektin futbollistik. Kur ai na flet, ne e kuptojmë pse erdhi te ne. Ai di të përmirësojë ekipet me të cilët punon.Një mënyrë e re për të parë futbollin ka mbërritur me të. Në mbrojtje, për shembull, ne luajmë lojë zonale. Është e ndërlikuar, por kurrë nuk kam pasur frikë nga gjërat që janë të vështira”, ka thënë Bonucci.