Boks, Donjeta Sadiku kërkon kualifikimin në Lojërat Olimpike 'Tokio 2020'

Boksierja Donjeta Sadiku, ka udhëtuar drejt Parisit të Francës, ku do të marrë pjesë në turneun kualifikues të boksit për Lojërat Olimpike Tokio 2020 që do të mbahet nga 4 deri më 8 qershor.

Turneu i njëjtë kishte filluar në Londër, në mars të vitit të kaluar, ishte ndërprerë në gjysmë shkaku i pandemisë Covid 19, ndërsa do të vazhdojë në kryeqytetin francez.

Sadiku, është garuesja e vetme nga Kosova që ka mbetur në garë për kualifikim. Ajo kishte mposhtur gjermanen, Maya Kleinhans, në raundin e parë të kategorisë deri në 60 kg.

Në raundin e dytë do të takohet të premten ndaj suedezes, Agnesa Lexiussion. Nëse shënon fitore, i duhet që edhe njërën nga dy luftërat e ardhshme ta fitojë për të siguruar normën olimpike.

“Kundërshtaren e njoh (Lexiussion) dhe ajo më njeh mua. E kam përgatitur meçin dhe mendoj se jam përgatitur mirë dhe besoj në fitore”, ka thënë Sadiku për Komitetin Olimpik të Kosovës.

“Përgatitjet që i kam bërë në javët e fundit, më japin motiv shtesë se do të realizoj ëndrrën për t’u kualifikuar në LO Tokio 2020”, shton nënkampionia e botës 2015 për të reja, dhe kampionia e Evropës 2016 për juniore.

 

21-vjeçarja në muajt e fundit zhvilloi përgatitjet në Finlandë dhe në Sofje të Bullgarisë. Në Tampere të Finlandës u përgatit me Mira Potkonenn, medaliste e bronztë olimpike Rio 2016, ndërsa në Sofje me medalisten evropiane dhe botërore, Stanimira Petrova.

Shpenzimet e përgatitjeve në Sofje iu mbuluan nga KOK-u.

“Përgatitjet më kanë ndihmuar shumë. Bullgarja Petrova e ka stilin e njëjtë me kundërsharet në Paris. Edhe përgatitjet e Finlandës ishin të mirëseardhura, të cilat më dhanë përvojë shtesë”, thekson Sadiku.