Bledi Shkëmbi thotë se s’po mundet t’i motivojë lojtarët e Ballkanit

Ballkani sot është shokuar duke u mposhtur me rezultat 2-3, nga Arbëria në Suharekë.

Pas kësaj humbje skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi ka zbritur në vendin e tretë me 67 pikë, pesë më pak se Prishtina që është në vendin e parë.

Pas humbjes, ka folur trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi duke thënë se skuadra e tij iu është larguar titullit të kampionit.

“Janë dy humbje kundër dy ekipeve që janë në pjesën e epërme të tabelës. Dy humbje që na rendojnë shumë, patjetër që jemi larg luftës për titullin kampion sepse janë vetëm edhe tri ndeshje. Do mundohemi t’i luftojmë të tri ndeshjet dhe shpresoj që të arrijmë në garat evropiane”, ka deklaruar Bledi Shkëmbi.

Ai ka thënë se nuk po arrinë t’i motivoj lojtarët e tij si duhet.

“Janë dy ndeshje që po vuajmë shume, ndoshta është gabimi im që nuk po arrijë t’i motivojë siç duhet, edhe lodhja e bën të vetën, por që nuk diskutohet. Në një situatë tjetër unë do të merrja përgjegjësinë ndryshe, por pas tri ditëve e kemi ndeshjen dhe unë do vazhdoj të bëj punën time”, tha Shkëmbi pas ndeshjes.

Në xhiron e ardhshme Ballkani do të udhëtojë drejt Gjilanit për t’u përballur me Dritën.