Bjeshkatari Shpëtim Kaliqani

Bjeshkatari kosovar që jeton çdo ditë me ëndrrën për ta pushtuar Everestin 

Bjeshkataria në ditët e sotme është bërë stil i jetës dhe viteve të fundit është shtuar numri i ekspeditave në malet e Kosovës nga bjeshkatarë amaterë e profesionistë.

Shkuarja dhe qëndrimi në natyrë, shoqërimi dhen ecja në ajrin e pastër të bjeshkëve anekënd vendit është gjëja të cilën e bën tash e 17 vite bjeshkatari Shpëtim Kaliqani nga Peja. 

Kaliqani, bjeshkatar dhe trajner fitnesi, në një bisedë për KALLXO.com, ka rrëfyer për ecjen e tij në bjeshkë, kënaqësitë, vështirësitë dhe synimet të cilat i ëndërron çdo ditë.

Bjeshkataria është gjithçka për të dhe ai tregon se ecjen e ka nisur prej fëmijërisë së bashku me shokun e tij të ngushtë dhe babain e shokut të tij i cili ishte bërë udhërrëfyes i tyre.

“Bjeshkataria për mua është gjithçka dhe jam e lidhur më të, për arsye që kam filluar si fëmijë me shokun tim të grupit të dalim bashkë në bjeshkë me shokun tim Korab Dreshajn dhe mentorin tim të bjeshkatarisë Xhavit Dreshajn. Si i vogël kam filluar me ecë në male dhe me u lidh e mishërua me këtë stil të jetës. Pamjen të cilën e shoh lartë nga mali, natyra më frymëzon dhe më bën me mendu shpesh sesa të vegjël jemi afër bukurive natyre” rrëfen bjeshkatari Shpëtim Kaliqani. 

Kaliqani tregon se si i vogël ia kishte lakmi familjes Dreshaj, që ishin familje bjeshkatare, ata nuk hezituan ta merrnin atë që nga mosha 13 vjeçare.

“E mbaj mend që kam filluar me ecje në bjeshkë si fëmijë së bashku me shokun tim Korabin, i cili e ka traditë familjare bjeshkatarin nga babai i tij Xhaviti, i cili ka qenë edhe mentori i im gjatë rrugëtimit tim në bjeshkë. Si i vogël i kam lakmu familjen e tyre për ngjitjen në maje e male të ndryshme, ata nuk kanë hezituar që të më marrin me vete dhe deri tani mos jam ndal deri tani që i kam 30 vite, pothuajse për 17 vite rresht”, rrëfen bjeshkatari.

 

30 vjeçari e kujton i emocionuar ngjitjen në bjeshkët e Rugovës, maje që është mbi 2,000 metra lartësi mbidetare. Ai thotë se e ka ngjitur shumë herë këtë maje dhe sa herë e bën një gjë të tillë e përjeton sikurse në herën e parë.

“Ende e kam të freskët kujtimin kur e kam bërë ngjitjen në majën lartë në bjeshkët e Rugovës, te guri i kuq, është maja e parë që e kam ngjit mbi nivelin dy mijë metra lartësi mbidetare. Kam qenë 15 vjeçar, ka qenë kënaqësi e papërshkrueshme dhe sot e asaj dite është maja që e kam më përqefi dhe e dua shumë dhe as vet nuk e mbaj në mend sesa herë jam ngjit në këtë maje. Çdo herë që e ngjes këtë maje më duhet se sikur po ngjitem për herë të parë” e kujton i emocionuar ai.

Pamje nga Bjeshkët e Rugovës, nga maja e Hajles 2403 metra lartësi mbidetare.

Majet e Kosovës i ka ngjitur pa ndonjë vështirësi, Kaliqani i potencon dy maje të Shqipërisë, atë të Kollatës dhe Jezercës, maje për të cilat duhet me pasë kujdes gjatë ngjitjes së tyre, sepse munden me hasë në vështirësi.

 

“Deri tani i kam ngjitur bjeshkët e Kosovës, Shqipërisë. Kur bjeshkët ngjiten me dashni dhe me kujdes, pa dashtë me tregu forcë ndaj saj, sepse bjeshka është me e madhe se ne gjithmonë dhe dinë me na sjell gjëra të paparashikuara nëse nuk e respekton. Në Kosovë mundem me thanë që nuk ka ndonjë maje që kam pasur vështirësi me i ngjitë, mundem me e cek në Shqipëri, majën e Kollates dhe të Jezerces, që ka qenë shumë ftoftë dhe ka pas ortekë, janë normale këto pasi janë alpe të cilat dinë me qenë të ashpëra dhe janë më teknike”, potencon Kaliqani, duke treguar se duhet me kujdes të ngjiten maje si ajo e Kollates dhe e Jezercës në Shqipëri.

Ai tregon se është i kujdesshëm gjithmonë në ecjet e tij dhe tregon përulësi për bjeshkët.

“Rreziqe të mëdhaja nuk kam pasur kurrë, kam bërë gjithmonë kujdes dhe jam rujt shumë dhe jam i vetëdijshëm gjithmonë dhe di me e mat gjithmonë probabilitetin e rrezikut, ndoshta është edhe përvoja që sa herë dalë në bjeshkë i përulem madhësisë së bjeshkës, e respektoj e du dhe e vlerësoj gjithmonë si sen që duhet me u kujdes për të nëse dëshiron me u ngjit prapë. Pra, nëse fillon me shfaqë ashpërsi, mundesh më pësu edhe mos me shku më”, këshillon Kaliqani.

Për të ecja në male duhet të shoqërohet me fotografi të cilat i shpërndan në rrjete sociale për t’i pasqyruar bukuritë natyrore që i kanë bjeshkët e Kosovës dhe të shteteve tjera.


“Përveç bjeshkatarisë që është gjëja që e du më së shumti, është edhe pjesa e fotografisë (landacape) dhe videove. Më pëlqen me reailzu foto e video, pasi shohë pamje 3D nga lartësia që unë shohë dhe i shpërndaj fotot dhe videot me miqtë e mi për me tregu se çfarë bukuri të mira natyrore kemi” tregon ai.

 

Pamje nga alpet shqiptare, përgjatë ngjitjes për në majën e Jezercës në Shqipëri

Përveç bjeshkatarisë dhe fotografisë, Shpëtim Kaliqani është njëri prej themeluesve të kompanisë ‘Transformohu’ dhe tani punon si trajner personal i fitnesit. 

Për të, ecja në male kërkon një përgatitje të mirë fizike për të cilën ai shpenzon mjaftë kohë në palestër.

“Fitnesi më ka ndihmuar shumë për ngjitjet e mia, sidomos në kondicionin dhe forcimin e kockave të trupit dhe muskujve, jam më i përqendruar, më i fuqishëm dhe më i kalitur”, tregon Kaliqani benefitet e fitnesit të cilat i ndihmojnë për bjeshkatari. 

Me nostalgji, Kaliqani tregon se momentet më të veçanta si bjeshkatar i ka me shokun e tij, Korab Dreshaj, i cili tani është i palëvizshëm për shkak të një aksidenti të pësuar. Ai menzi e pret kthimin e Korabit, për t’i vazhduar bashkë pushtimin e majeve të botës.

“Momente të veçanta kam shumë, por momentet më të veçanta i kam në bjeshkë me shokun tim, Korabin, që si fëmijë kemi shëtitë shumë edhe është mënyra qysh ne e kemi dashtë bjeshkën edhe qysh ende e dëshirojmë dhe jetojmë me dashnin për bjeshkë. Shoku im Korabi, ka pasur një aksident që tasht momentalisht është i palëvizshëm dhe është duke u kuruar, pres që shumë shpejtë t’i kthehemi aventurave tona. Si të vegjël jem kënaqur shumë duke ecur nëpër bjeshkë, më herët nuk ka pasur shumë bjeshkatar dhe ka pas raste që edhe kanë kesh me neve se pse po dalim nëpër mal, por tasht është bë edhe mënyrë e jetesës dhe po merr vëmendje të madhe çdo ditë e më shumë”, rrëfen ai.

Bjeshkatari Shpëtim Kaliqani me shokun e ngushtë, Korab Dreshaj.



Për 17 vite ecje e ngjitje në male, Kaliqani ka ngjitur maje si ajo e Kilimanxharos, por ai tregon se çdo ditë jeton me ëndërron që të ngjitet në Everest, por e cila është e vështirë e realizueshme për shkak të kostos së madhe financiare.

“Kam shumë synime për të ardhmen, deri tani kam pushtuar majën më të lartë të kontinentit afrikan Kilimanxharo e cila është e lartë 5, 968 metra, me klubin “Alpin Prishtina”, kemi qenë 22 persona, ka qenë ndjenjë e pa përshkueshme.

Për të, ngjitja majave të botës është një pasion i kushtueshëm por ëndërrat e tij nuk shuhen pavarësisht se ekspeditat e tilla nuk përballohen lehtë financiarisht.

“Ëndërr  e kam majën e Everestit, K2, Patagonia, Triglav e shumë maje të tjera të cilat kanë kosto të madhe dhe është e vështirë me i bo paratë, për arsye se kushtojnë shumë shtrenjtë. Jetoj tu i mendu çdo ditë këto maje,” përfundon ai.

Bjeshkatari Shpëtim Kaliqani në majën më të lartë të Afrikës, Kilamanxharo