Bernard Challandes flet për problemet me komponimin e ekipit ndaj Greqisë

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës në futboll, Bernard Challandes ka folur në konferencë për media para ndeshjeve me Moldavinë dhe Greqinë, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Zvicerani para gazetarëve tha se ekipin e pret një periudhë e vështirë, duke e marrë parasysh gjendjen e lojtarëve, në këtë kohë të pandemisë.

“Nuk është e lehtë për të pasur një ekip të komponuar, duke marrë parasyh që kemi situatata të ndryshme, me lojtar krejtësisht të ndryshëm. Ne kemi lojtar që nuk kanë asnjë klub. Kemi lojtarë që nuk kanë minuta, kjo do të thotë që nuk është e lehtë. Do të flas me çdo lojtar, ne nuk mund të marrim riskin me lojtarët që janë të lënduar, apo lojtarë që kanë filluar të stërviten para një jave”, tha Challandes.

Ai tha se Greqia e ka një ekip të fortë dhe për këtë duhet të përgatisë lojtarët që i ka në dispozicion.

“Do të luajmë ndaj Greqisë në Prishtinë, në një farë forme duhet t’i mësojmë lojtarët, por e dimë që Greqia i ka lojtarët e fortë. Na pret një periudhë e vështirë, kur e kisha menduar grumbullimin e shtatorit e kisha menduar si grumbullim të mirë, por tani kanë ndryshuar gjërat”, tha trajneri zviceran.