Berisha: Një ligë e përbashkët Kosovë- Shqipëri në basketboll do ta rriste cilësinë

Basketbolli në Kosovë në këtë sezon është pezulluar për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Pas lajmit jo të mirë për pezullimin e sezonit në basketboll, për sezonin e ri është duke u menduar krijimi i një lige të përbashkët mes Federatave të basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e ka konfirmuar për KALLXO.com idenë e krijimit të një lige të përbashkët.

“Ideja është e përbashkët. Ka disa vite që në takimet tona është diskutuar për krijimin e një kupe të përbashkët dhe më pas edhe një ligë. Vitin e kaluar kanë filluar bisedimet intensive ndërmjet krerëve të të dyjave federatave, me iniciativën e kreut të FSHB-së, Avni Ponari”, kishte treguar Elvira Dushku për KALLXO.com.

Basketbollisti i kombëtares së Kosovës dhe KB Pejës, Dardan Berisha, në një intervistë për KALLXO.com ka folur për idenë e krijimit të ligës së përbashkët.

Po ashtu, ai e ka komentuar vendimin e FBK-së për anulimin e sezonit.

Dardan Berisha ka rrëfyer po ashtu se si po i kalon ditët i ngujuar në shtëpi për shkak të pandemisë.

“Në shtëpi me familje duke u marrë me aktivitete fizike si basketboll dhe vrapim”, thotë ai.

Vendimin për anulimin e sezonit të Superligës së Kosovës në basketboll, Berisha e cilëson si të drejtë, pasi për të është më e rëndësishmë shëndeti i lojtarëve.

“Vendim i drejtë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e coronavirusit. Në fund të fundit shëndeti i lojtarëve është më i rëndësishëm”, vlerëson 31-vjeçari.

Basketbollisti i KB Pejës thotë se është duke u stërvitur edhe pse është ndërprerë kampionati, por jo në mënyrë intensive.

“Jam duke u stërvitur, por jo në mënyrë intensive. Jam duke u marrë me basketboll dhe me vrapim. E kam një hapësirë ku jetoj dhe janë kushtet që të stërvitem”, tregon basketbollisti i kombëtares së Kosovës.

Dardan Berisha e ka cilësuar ide të mirë krijimin e një lige të përbashkët në basketboll mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ai beson se do të ngritet cilësia dhe se shpenzimet do të jenë më të mëdha, por që mund të përballohen.

“Shumë e mirë ideja për ligën e përbashkët, një ndryshim dhe risi e si do të realizohet do e tregojë koha, por ideja është shumë e mirë. Besoj se do të ngritet edhe cilësia. Shpenzimet janë më të mëdha, por besoj që me vullnet dhe investime më të mëdha, munden ekipet më të mira në dy ligat me përballu”, thotë ish-basketbollisti i KB Prishtina.

Berisha, i cili cilësohet si njëri prej lojtarëve më të mirë vendor në basketbollin kosovar, thotë se lojtarët vendorë duhet që ta rrisin cilësinë e tyre për ta përballuar konkurrencën e lojtarëve të huaj.

“Lojtarët vendorë duhet vetë më së pari me e ngritë cilësinë dhe me e përballu konkurrencën e lojtarëve të huaj. Besoj që kjo ligë ka me i shty lojtarët vendor me punu më shumë e me pasë më shumë kualitet. Lojtarët e huaj cilësorë janë të mirëseardhur, në fund konkurrenca e ngrit nivelin. Me qenë si tashti dy lojtarë vendorë gjatë gjithë lojës do të ishte mirë besoj për të gjithë”, vlerëson Dardan Berisha.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë rreth idesë së krijimit të ligës së përbashkët Kosovë-Shqipëri.