Batatina: Ky vit është i yni, Drita, Prishtina dhe Ballkani s’kanë asgjë më shumë se ne

Llapi ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Ballkanit me rezultat 1-0, në kuadër të xhiros së 22-të në Superligë.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka deklaruar se fitorja e sotme është meritë e futbollistëve.

“Kemi qenë të vëmendshëm nga fillimi i takimit. Futbollistët u janë përgjigjur detyrave të stafit teknik për të cilat jemi marrë vesh gjatë seancave stërvitore dhe me një angazhim maksimal arritëm ta fitonim ndeshjen. Kjo fitore është e gjitha merita e futbollistëve”, ka thënë Tahir Batatina.

Batatina ka thënë se futbollistët e tyre po i përfaqësojnë denjësisht qytetarët e Podujevës.

“Podujeva është një qytet i madh me shumë fshatra dhe banor, prandaj këta djem po i përfaqësojnë më së miri ata, po e përfaqësojnë në mënyrë të dinjitetshme fanellën për të cilën ka luajtur Fadil Vokrri”, ka potencuar ai.

Trajneri i Llapit ka thënë se skuadra si Ballkani, Prishtina e Drita nuk kanë asgjë më shumë se skuadra e tij.

“Ky vit është i joni, askush nuk mund të na dal. Ballkani, Drita dhe Prishtina nuk kanë asgjë më shumë se ne. Objektivi ynë është dalja në Evropë dhe shpresoj ta realizojmë. Duhet të qartësojë edhe një gjë që e kemi rikthyer “Banjën e Luzhanit”, këtu nuk merr më pikë asnjë skuadër”, tha Batatina për ‘Art Sport’.

Pas kësaj fitoreje Llapi pozicionohet në vendin e gjashtë me 26 pikë.

Në xhiron e ardhshme Llapi i shkon Prishtinës në kryeqytet.

Trajneri i Ballkanit: Llapi e meritoi fitoren, ne nuk bëmë asgjë në fazën e sulmit