Batatina: Fitorja ndaj Arbërisë ishte jetike për ne

Llapi ka shënuar fitore me rezultat 4-3, ndaj Arbërisë, ndeshje e cila u luajtë në kuadër të xhiros së 26-të në Superligën e Kosovës, në futboll.

Pas ndeshjes, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka deklaruar se kjo fitore ishte jetike për ta.

“Vet rezultatet tregojnë se po funksionin gjithçka te ne. Ka qenë jetike për ne, lojtarët që disa kanë pasur lëndime dhe ngarkesa nuk i kam inkuadruar, pasi kjo ndeshje ishte e rëndësishme. Më gëzon fakti që si skuadër edhe pse kemi pranuar gola, kam bërë diçka madhore inkuadrimi i disa lojtarëve të rinj. Për mua do të thotë shumë për t’u dhënë të rinjve hapësirë”, ka thënë Tahir Batatina.

Batatina ka thënë se skuadra e tij nuk guxon të lëshojë pikë deri sa ta sigurojnë mbijetesën matematikisht.

“Llapi nuk guxon të lëshoj pikë, duhet të fitojë sa më shumë pikë derisa ta siguroj edhe matematikisht mbetjen në ligë”, ka thënë Batatina.

Pas kësaj fitoreje Llapi pozicionohet në vendin e pestë me 33 pikë.