Batatina: E mposhta Prishtinën taktikisht

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka deklaruar se e mposhti taktikisht homologun e tij Zekirija Ramadani në ndeshjen e sotme.

Llapi e mposhti Prishtinën në “Fadil Vokrri” me rezultat 0-1.

“Fitoren ia kushtoj kapitenit të klubit. Taktikisht kam planifikuar të luajë në këtë mënyrë. Në pjesën e parë gaboi portieri, përndryshe Prishtina nuk pati raste. Në pjesën e dytë luajtëm mirë dhe arritëm fitoren. Në zhveshtore u pajtuam që ta ndryshojmë mentalitetin, ta kemi mentalitetin e fituesit. Kam rrezikuar shumë si trajner pasi kam zëvendësuar qendërmbrojtës dhe kam futur sulmues. Lojtarët treguan cilësi të jashtëzakonshme. Fitoren ia dedikoj edhe drejtorit të klubit e kryetarit. Sistemi i ligës të mundëson që brenda javës të ngjitesh shpejtë në ligë, ndoshta mund të jemi në vendin e katërt në mesjavë”, tha fillimisht Batatina.

Ai ka përmendur edhe emrin e stadiumit “Fadil Vokrri”, duke thënë se shkaku i emrit s’do ta kishte humbur asnjë ndeshje me Kombëtaren e Kosovës.

“Po të isha trajner i Kosovës nuk do të humbja asnjëherë, shkaku i emrit të stadiumit. Nuk do të doja të fitonte askush këtu”, ka deklaruar Tahir Batatina.

Pas kësaj fitoreje Llapi pozicionohet në vendin e nëntë me nëntë pikë.

Në mesjavë luan ndaj Ulpianës në kuadër të xhiros së 10-të.