Batatina: Ballkani nuk e meriton titullin, mëkat që ky ekip të dalë në Europë

Llapi ka pësuar humbje me rezultat 1-0, ndaj Ballkanit, ndeshje e cila u zhvillua në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Kjo ndeshje u përcjellë me kacafytje dhe polemika dhe me tre karton të kuq.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka akuzuar Ballkanin se në Suharekë nuk u luajt futboll, pasi skuadrën e tij e mposhten gjyqtarët e jo Ballkani.

“E kemi ditur që do jetë një ndeshje e fortë. Kemi luajtur futboll. Në Suharekë nuk u luajt futboll. Nuk na mposhti Ballkani, por gjyqtarët, është e para që po ankohem sivjet. E pamë që synimi ishte të largohet Januzi nga ndeshja që Ballkani ta fiton ndeshjen. Ne e meritojmë vendin e parë, jo Ballkani”, ka deklaruar Tahir Batatina.

Batatina ka insistuar se janë dëmtuar shumë dhe ishte një organizim jo i mirë nga Ballkani për ndeshjen e sotme.

“U dëmtuam me një penallti, me një faull, u dëmtuam shumë. Organizimi katastrofal i Ballkanit. Të fyhet të shahen trajnerët e skuadrave tjera. Kjo është në dëm të futbollit. Kjo skuadër mendon të dal në Evropë, por me këtë organizim nuk i duhet as titulli dhe as Evropa”, tha Batatina pas ndeshjes.

Pas kësaj humbje Llapi pozicionohet në vendin e pestë me 39 pikë.