Basketbollisti i Kosovës po agjëron dhe po stërvitet dy herë në ditë

Aktivitetet sportive në Kosovë janë pezulluar prej 13 marsit nga Qeveria e Kosovës, si masë parandaluese ndaj përhapjes së pandemisë COVID-19.

Në këtë situatë, sportistët janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre ndërsa, si gjithë qytetarëve tjerë, u lejohet lëvizja vetëm 90 minuta në ditë. Lëvizja e limituar po ua vështirëson atyre mundësitë që të stërviten dhe ta mbajnë formën e tyre optimale.

Në Kosovë është pezulluar sezoni 2019/2020 në Superligen e Kosovës në basketboll në kategorinë e meshkujve.

Vendimin për anulimin e sezonit e ka bërë të ditur Federata e Basketbollit e Kosovës me 31 mars, për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi.

Basketbollisti Samir Zekiqi, në një intervistë për KALLXO.com, ka rrëfyer se si është duke i kaluar ditët në ngujim dhe a është duke i vazhduar stërvitjet përkundër që është pezulluar kampionati.

Zekiqi ka thënë se ditën e nisë me vrapim dhe ushtrime duke u kujdesur për ushqimin.

“Zakonisht e filloj ditën herët me vrapim dhe me ushtrime të tjera. Pjesën më të madhe dihet që e kalojmë në shtëpi, por prapë duk u kujdes për regjimin ushqimor dhe të ushtrimeve”, tregon 25 vjeçari.

Basketbollisti i KB Yllit, e ka komentuar edhe vendimin për anulimin e sezonit në basketboll në Kosovë. Zekiqi thotë se ani pse ka përfunduar kampionati, ai është i motivuar që të bëhet gati për sezonin e ri.

“Nuk mundemi me thënë që ka qenë vendim i gabuar se është për të mirën e lojtarëve, trajnerëve dhe të gjithë basketbollit kosovar. Kampionati ka përfunduar, por aktivitet dhe motivi jo që të përgatitemi edhe më shumë për një sezon të ri dhe të luftojmë deri në fund për të arritur sa më lartë”, thotë Zekiqi i gjatë 201 centimetra.

Basketbollisti i kombëtares së Kosovës në basketboll nuk i ka lënë stërvitjet asnjë ditë duke ushtruar në kushte shtëpie.

“Stërvitjet nuk i kam lënë as edhe për një ditë edhe pse në kushte shtëpie, prapë çdo ditë kam ushtru që ta mbaj vetëm në formë. Vullnet patjetër që po, shpresojmë që të largohet sa më shpejt coronavirusi, prandaj nuk duhet të dorëzohemi”, tregon ish-basketbollisti i Trepçës.

Basketbollisti mitrovicas i cili luan në poziten e alos, gjatë qëndrimit në shtëpi nuk ka shtuar peshë, ai tani është duke e agjëruar muajin e Ramazanit.

“Nuk kam shtuar peshë, jam mirë tash edhe agjërimi i muajit Ramazan na ndihmon shumë që të ushqehemi me rregull duke pasur kujdes më shumë, me lëngje, fruta dhe perime. Gjatë agjërimit po e shfrytëzoj më shumë ushtrime të forcës dhe me peshën time, kurse pas iftarit po dal në bahçe që të ushtroj, kardio më shumë në mënyrë që të djersitem. Kurse gjatë kohës kur e kam orarin me dal me rregullore po e shfrytëzoj me biçikletë”, tregon Samir Zekiqi, duke treguar se po bën ushtrime para dhe pas iftarit.

Ngujimi në shtëpi për Samir Zekiqin thotë se i ka mësuar që t’ia dinë vlerën dhe rëndësinë shënedetit.

“Çka na ka mësu qëndrimi në shtëpi është se t’ia dimë vlerën dhe rëndësinë shëndetit, lirinë që e kemi pasur të jemi më afër familjarëve tanë”, thotë ai.

Samir Zekiqi në këtë sezon ka treguar formë fantastike me skuadrën e KB Yllit.

25 vjeçari po ashtu është pjesë e Kombëtares së Kosovës në basketboll.

 

Samir Zekiqi, basketbollisti i muajit shkurt